Një kërkesë e përçudnuar, e turpshme dhe antiligjore e Sindikatës së Shëndetësisë

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës që nga viti i kaluar, përkatësisht nga data 12.6.2018, e duke u bazuar në Kontratën Kolektive Sektoriale (KKS), të arritur në mes të Sindikatës dhe Ministrit të Shëndetësisë po kërkon, madje edhe duke bërë presion mbi drejtoritë e Qendrave të Mjeksisë Familjare që krejt benifitet (pagat jubilare, pagat e pensionimit, rritja e shtesave të natës) të bëhen VETËM për anëtarët e Sindikatave, pra jo për të gjithë punëtorët!

Kjo kërkesë, bazohet në Kontratën Kolektive Sektoriale të përmendur më lart, në këtë pjesë të saj, përkatësisht në nenin 4.3 të saj, duke e keqinterpretuar këtë paragraf të kontratës. Mënyra sesi është interpretuar është në kundërshtim me vetë Kontratën, është në kundërshtim me Ligjin e Punës dhe me Kushtetutën e Kosovës. Kjo kërkesë dhe interpretim paraqesin shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, e mbi të gjitha parimin e barazisë para ligjit, si dhe parimin e pagës së njëjtë për punën e njëjtë, shkruan Fokusi.info.

Në parim, të gjitha të arriturat e sindikatave i gëzojnë të gjithë punëtorët pa marrë parasysh anëtarësinë, përderisa benefitet që i ofron vetë sindikata mund të jenë vetëm për anëtarët e saj, por jo edhe të ardhurat që vijnë nga buxheti i shtetit e që rregullohen me Ligjin e Punës.

Nuk ka dyshim se kjo është një përpjekje për t’i detyruar punëtorët që të anëtarësohen në sindikatë jashtë vullnetit të tyre.

Prandaj, shteti e organet udhëheqëse të sektorit të shëndetësisë nuk guxojnë ta shkelin Ligjin e Punës e të bëjnë diskriminime të tilla./Fokusi.info/