Një muaj paraburgim për serbin e dyshuar për krime lufte në Kosovë (VIDEO)

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji serbit G.S, i dyshuar për krime lufte në Kosovë, transmeton Klan Kosova.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit G.S. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krime lufte kundёr popullatёs civile nё kundёrshtim me Nenin 142 lidhur me nenin 22 tё Kodit Penal tё Republikёs Socialiste Federale tё Jugosllavisё (KPRSFJ) lidhur me nenin 3 tё Konventёs sё Katёrt tё Gjenevёs dhe po ashtu e penalizuar me nenin 145 Krimet e luftës në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktin e armatosur ndërkombëtar dhe nenin 146 Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ai dyshohet se gjatë periudhës kohore, 15 dhe 16 prill 1999, nё bashkëkryerje me tё pandehurit tjerë pjesëtarë të njësive rezervë të njësive ushtarake dhe policore të Serbisë, gjatë një ofensive të drejtuar kundër popullsisë civile në komunën e Lipjanit dhe lokaliteteve për rreth, me përdorimin e forcës ushtarake, dhunës, plaçkitjes dhe frikësimit, fillimisht kanë dëbuar popullsinë civile shqiptare nga shtëpitë e tyre, e pastaj nga familjet të cilat ishin duke u përpjekur që të largohen nga sulmet dhe dhuna, të pandehurit i kanë ndarë dhjetëra persona, të cilët pastaj i kanë vrarë.