Njihuni me kandidatin e parë në Kosovë për kryeministër

Se do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme duket se nuk ka asnjë dyshim. Madje, menjëherë ka filluar një rivalitet i madh mes partive politike, rreth asaj se kush do ta qeverisë Kosovën në mandatin e ardhshëm, transmeton emisioni “Sonte” në T7.

E derisa në Prishtinë po bëhet gjithë ky lëmsh politik se kush me kë do të hyjë në koalicion e kush do të jetë kandidat, dikush e ka ndarë mendjen për këtë punë.

Kushdo që do të kandidojë për postin e kryeministrit, në këtë garë do të bashkëngjitet edhe Ramadan Isufi nga Mitrovica.

Ky zotëri shprehet i bindur se do ta fitojë këtë garë, pasi që dikush në ëndërr po i bën thirrje të kandidojë për kryeministër.

Ai thotë se nuk ka nevojë për koalicion e as për mbështetje të ndonjë partie politike.

Përveç premtimeve që do ta rrisë cilësinë në arsim e shëndetësi, Isufi ka edhe një premtim tjetër.

63-vjeçari mendon dhe është i bindur se do të jetë në pushtet për një mandat.