Njohësi i ekonomisë: Rritja ekonomike 10% s’është reale, qytetarëve t’iu mundësohet tërheqja e Trustit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Financa ka deklaruar se është kundër tërheqjes së kursimeve nga Trusti Pensional prej 30 për qind, që është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovë (PDK), respektivisht nga deputeti Bekim Haxhiu.

Muja ka ka thënë se tërheqja e kursimeve nga Trusti mund të bëhet shprehi, shkruan Demokracia.com.

“Unë nuk kisha prejudikuar sa i përket tërheqjes. Nuk është çështja a ka mundësi apo s’ka. Nuk duhet ta bëjmë shprehi, çdo herë, çdo vit që të tërhiqen mjetet e Trustit. Ne nuk themi që qytetarët nuk kanë nevojë, por gjetur alternativa të tjera. Nuk duhet me i rritë pritjet e qytetarëve”, ka thënë Muja.

Muja, që njihet për lavdërimin e punës së Qeverisë, ka thënë se rritja ekonomike është stabile, andaj sipas tij, nuk ka nevojë për tërheqjen e trustit.

“Në kohën kur është tërhequr 10-përqindëshi, kemi pasur një tkurrje ekonomike prej 4 ose 5 për qind. Kështu që nuk është situatë e njëjtë, sepse kemi një rritje ekonomike 10 për qind, është rritur edhe konsumi për 14 për qind, krahasuar me vitin 2019”, theksoi Muja.

Por për njohësin e ekonomisë, Astrit Ratkoceri, tërheqja e mjeteve nga Trusti nuk është praktik e mirë, mirëpo qeveria duhet të bëjë zgjidhje në rast të krizave ekonomike.

“Tërheqja e mjeteve nga Trusti në parim nuk është praktik e mirë, por në raste të krizave siç është tani dhe kur Qeveria nuk ka alternativë më të mirë atëherë duhet konsideruar edhe kjo si një mundësi për zbutjen sado pak të gjendjes së rënduar ekonomike të qytetarëve”, ka thënë Ratkoceri për Demokracia.com.

Ai ka thënë se rritja ekonomike e përmendur nga Armend Muja pa dyshim se nuk është reale.

“Rritja ekonomike e përmendur në këtë rast pa dyshim se nuk është reale kur kemi parasysh se në vitin paraprak kemi pasur ngecje në të gjithë sektorët si pasoj e pandemisë. Kjo le që nuk është përkthyer në mirëqenie të qytetarëve, por as nuk është kthim në gjendjen para pandemisë”, ka thënë ai.

Sipas Ratkocerit, lufta në Ukrainë i ka detyruar qytetarët që kursimet që i kanë t’i i ruajnë si mjete monetare.

“Këtu nuk duhet harruar edhe gjendjen e shkaktuar nga lufta Rusi – Ukrainë e cila përveç rritjes së përgjithshme të çmimeve ka shkaktuar edhe panik dhe stopim të investimeve dhe zvogëlim maksimal të shpenzimeve duke shtyrë qytetarët që ato kursime që i kanë t’i ruajnë si mjete monetare për shkak të likuiditetit të tyre në rast të përkeqësimit të mëtejmë të gjendjes”, ka thënë ai.