“Nuk ka shanse të kalojë Trusti”, bashkëshorti i Mimoza Kusarit kishte terhjekur 4 mijë euro vitin e kaluar

Deputetja Mimoza Kusari-Lila, është kundër vendimit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, mirëpo bashkëshorti i saj në vitin 2021 ka tërhequr 4 mijë e 12 euro.

Sipas deklarimit të pasurisë që ka bërë Mimoza Kusari-Lila, bashkëshorti i saj ka tërhequr 4 mijë e 12 euro nga Trusti në vitin 2021. Ndërkaq shefja e Grupit Parlamentar të VV’së, Kusari-Lila, vazhdon ta kundërshtojë vendimin për tërheqjen nga Trusti.

Rreth një javë më parë ajo ka thënë se nuk ka asnjë shans që ta përkrahin ndonjë tërheqje të mjeteve nga Trusti.

Kusari – Lila, në Rubikon në Klan Kosova tha se ato para janë të dedikuara që të ruhet si instrument që siguron mirëqenien e të gjithë atyre që arrijnë moshën 65-vjeçare.

“Në rrethanat aktuale, tërheqja është vlerësuar se nuk i ndihmon kategoritë në nevojë për arsye se nënkuptohet që ata që janë keq ekonomikisht nuk u bën zgjidhje”, është shprehur Kusari-Lila.

Vetëvendosje zyrtarisht është kundër tërheqjes nga Trusti, derisa një numër i madh i deputetëve të kësaj partie kishin tërhequr mjete nga ky fond në vitin 2021.

Kujtojmë se partitë opozitare janë pro tërheqjes së një shume nga Trusti, në mënyrë që sipas tyre, qytetarët ta kenë më të lehtë ta përballojnë krizën e shfaqur pas luftës në Ukrainë.