“Nuk mbajmë sekrete”: Lajçak thotë se do të publikohet edhe udhërrëfyesi i implementimit të marrëveshjes

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se do të publikohet edhe udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes bazë mes dy vendeve.

Kjo pyetje i ëshë parashtruar atij në një intervistë në “Atlantic Council”, ku mes tjerash, ka thënë se “nuk mbajnë sekrete”.

“Absolutisht, çdo marrëveshje është publikuar që kur jam caktuar tre vite më parë, kështu që nuk kemi arsye apo qëllim që të mbajmë diçka sekrete…” – ka thënë ai.

Në këtë intervistë, ai ka bërë të ditur se janë duke u shikuar 16 modele për zbatimin e marrëveshjes, për të cilën tha se është obligim ndërkombëtar.

“Kemi shikuar modele ekzistuese dhe mund t’iu them që këtu në tavolinën time kam 16 modele evropiane, por nuk mund t’i listoj ato. Nuk dua të tregohem se po bëj favor për një palë apo tjetrën.” – tha ai.

Lajçak bëri të ditur se të njëjtat do të diskutohen, dhe se më pas, do të vendoset se cili mund të përdoret në rastin e Kosovës.

Veç kësaj, ai bëri të ditur se “nuk do të krijohet diçka që e bën shtetin e Kosovës më pak funksional”.

“Po i ndajmë këto diskutime me partnerët tanë, dhe ata, do të vendosin se cilin model do ta marrin. Nuk duam të krijojmë diçka që do ta bënte sistemin e Kosovës më pak funksional. Nuk do të krijojmë diçka që nuk ka qenë e krijuar apo e testuar në shtetet evropiane. Roli ynë është që dy shtetet t’i afrojmë pranë Bashkimit Evropian.” – ka bërë të ditur emisari evropian.