Nuk pyesin për kamera dhe alarm, nga Shqipëria për grabitje në Spanjë (video)

Një grup shqiptarësh të specializuar në vjedhjen e banesave janë arrestuar nga forcat spanjolle.

Të arrestuarit janë tre shqiptare, midis moshës 25 dhe 30 vjeç, të cilët kishin hyrë në territorin spanjoll në tetor të këtij viti, periudhë gjatë së cilës kishin kryer grabitjet.

Ata akuzohen për grabitje dhe organizatë kriminale.

3 shqiptarët i kryenin vjedhjet e tyre në pjesë të ndryshme të periferisë së Madridit. Fillimisht ata udhëtonin me automjete të transporteve publike, duke pikasur shtëpi apo vila të ndryshme, në të cilat nuk ndodheshin pronarët e tyre. Me të gjetur vilat e pabanuara, të tre nuk pyesnin nëse kapeshin nga kamerat apo sistemet e alarmeve të vendosura pranë banesave por mësynin në banesa.

Për të hyrë në brendësi të shtëpive ata hapnin dyert ose dritaret e kateve përdhese. Kryesisht ata vidhnin bizhuteri, sende me vlerë, kamera dhe paratë që mund të gjendeshin në banesa.

Autoritet spanjolle bëjnë të ditur se, shqiptarët nuk qëndronin për një kohë të gjatë në territorin spanjoll, por pasi kryenin vjedhjet, largoheshin nga Spanja përmes rrugëve tokësore.

Autoritetet spanjolle nuk kanë bërë të ditur identitetin e shqiptarëve, por kanë njoftuar se 3 shqiptarët janë vënë në dispozicion të autoriteteve kompetente gjyqësore, të cilët kanë lënë në burg anëtarët e këtij grupi./abcnews.al