Nushi i PSD-së: Qeveria po fyen veteranët, Kurti i pari që duhet ta dorëzojë kartelën e veteranit të rrejshëm

Të shtunën që shkoi u mbajt protesta në sheshin “Skënderbe”.

Veteranët e shoqëria civile mbushën hapësirat e kryeqytetit me qëllim siç u tha të kundërshtimit të “koordinimit të qeverisë më Milan Radojiçiç-in” dhe mos ngritjen e pensioneve për veteranët baras me ngritjen e pagës minimale, e cila u bë 264 euro.

Tubimit iu bashkuan edhe anëtarë të kryesisë së PSD-së.

Noli Nushi, sekretar organizativ në këtë parti, tha se kategoritë e dala nga lufta po fyhen nga Qeveria Kurti.

“Kjo po bëhet përmes deklaratave siç ishin ato të Mimoza Kusarit dhe Ministrit Sveçla dhe qe nuk po ju mundësohet jetesa përmes një page minimale dhe ndërlidhjes së saj me pensione”.

Sipas tij, vetë Kurti duhet të heq dorë nga karta e veteranit të rrejshëm. Fryrja e listave ishte arsyeja kryesore pse Qeveria nuk i ngriti pensionet e veteranëve në nivelin e njëjtë me pagën minimale.

“Sot është krijuar sinonimi që kur përmendet fjala veteran, është bë ofendim sepse po lidhet me mbiemrin i rrejshëm, sipas këtij narracioni vetë z.Kurti është veteranë i rrejshëm. Albin Kurti ka faj për mirëmbajtjen e këtij narracioni, këtij ofendimi që u bëhet veteranëve. Me siguri ka fryrje, po nuk është kjo pjesa ku ai duhet me vënë drejtësi. Me qenë i hairit jep dorëheqje vetë prej veteranit sepse Kurti ka kartë veterani që nuk i takon. I pari është që ka kartelë të rrejshme”.

Sfiduan Zybën e VV-së/ Nushi i PSD-së: Veterani i tri luftërave është zhvesh nga dinjiteti

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba është ‘sfiduar’ të enjten nga anëtarët e PSD-së Nol Nushi e Frashër Krasniqi se përse nuk e ka kundërshtuar shefen e grupit parlamentar Mimoza Kusari-Lilën pas publikimit të audio incizimeve në të cilat përmenden edhe veteranët.

I ftuar në një intervistë për Front Online, Nushi shpjegoi në detaje se çka ndodhi te Kuvendi.

“S`pati përplasje me Zyben se nuk dike çka me thanë, e ballafaquam me krejt argumentet tona, akuzat, çështjet që kishim me ia thanë pushtetit, nuk u tregua inteligjent si deputetët tjerë të cilët u futën me shpejtësi në parlament, u ndal kishe të flas me ne, po nuk kish përgjigje”.

Nushi tha se Zyba, një veteran i tri luftërave, është zhvesh nga dinjiteti i tij.

“Zyba, një luftëtar i tri luftërave, gojën se ka qel për bisedat me Kusarin e Simiq, pajtohet me Sveçlen që e quan protestën instrument te Vuçiq. Ai është zhvesh prej dinjitetit. Është instrument i pushtetit. Ne jemi pasqyra e atij deputeti qe po merret veç me rehatim te familjareve dhe mbrojtje të qeverisë”.

Nushi i PSD-së: VV-së i ka mbet e njëjtë vetëm logoja, po përgatitemi për të garuar në zgjedhje

Nol Nushi ishte dikur pjesë e Vetëvendosjes.

Ai thotë se ky subjekt ka ndërruar komplet prej ardhjes në pushtet.

“Normalisht nëse dikush e krahason VV e 2005 ose 2010 me VV-në e 2023 a mendon se janë dy parti të ndryshme dhe kundërshtare mes vete. I vetmi sen qe i ka mbet i njëjtë vetëvendosjes është logoja. Ajo është zhvesh nga përmbajtja. Aty ligjin e bëjnë mimoza, Armend Muja, deputetët oportunistë, të cilat gjatë viteve te opozitarizmit i kemi pasë kundërshtarë kryesorë. Armend Muja na krahasuar me listë Serbe për këtë Zajadnicën që tash po e themelojnë. Muja ka thane që VV duhet mu shpall organizatë terroriste”.

Sipas Nushit, PSD-ja po përgatit për të garuar në zgjedhjet e reja, kurdo që ato mbahen

“Ne jemi duke u përgatit me garu në zgjedhje dhe do të garojmë kurdo që mbahen ato, sa ma shumë kohë me u përgatit, besoj që rezultati ka me qene më i mirë. Nuk i frikësohem rezultatet, kam marr pjesë në zgjedhje vazhdimisht kur tepër rralle herë kemi fituar. Prej krejtve zgjedhje veç 1 palë i ka fituar VV dhe i ka humb nja 7 a 8 tjera”.

“Opozita, vagone e Qeverisë, Kurti po i shtyp çdo ditë”

Sekretari organizativ i PSD-së, Nol Nushi thotë se PDK, LDK, AAK nuk po i bëjnë aspak opozitë Qeverisë Kurti.

Po të kishte kushtet si të tyre, aksionet do t`i ishin diçka rutinore.

“Partitë parlamentare po bëjnë minimalisht. Me i pasë kushtet e tyre buxhetin që e kanë, masën e njerëzve, kushtet infrastrukturore, kisha bo aktivitet të çdo ditë opozitar. Kjo opozitë nuk po mundet me riformatu vetën, jo me i ndërruar figurat qysh i lyp pushteti, por në thelb me u riformatu. Ata janë bërë vagonë i qeverisë”.

Nushi thotë së Kurti është rreziku i tyre dhe jo PSD-ja, eventet e të cilat opozita po i bojkoton.

“Jemi treguar dorëshlirë, i kemi ftuar në bashkëpunim, në disa protesta, i kemi ftuar, shumë shpesh kanë refuzuar me bashkëpunuar, po frikësohen se mbështetësit e tyre po vijnë tek ne. Rrezik e kanë Kurtin dhe jo neve, rrezik ne kuptimin e funksionimit politik, po i nënçmon çdo dite, po i shtyp dhe këta po i vizatohen sa kanë nevojë”.

Zyrtari i PSD-së: Mimoza Kusari duhet të shkarkohet

Nol Nushi nuk është çuditur aspak me përgjimet Kusari – Smiq.

“Prej momentit kur jam dalë unë prej VV, i kam ulë pritshmëritë përtokë për VV. Një vit para se me dal, derisa ka filluar ai problemi i brendshëm, aty e kam parë që nuk ka mbet kurgjo sepse njerëzit e lakmonin pushtetin. Nuk çuditna me kurrgjë”.

Ai mendon se Mimoza Kusari do të duhej të shkarkohej.

“Mimoza duhet të shkarkohej, ka bërë vepër penale. me bisedu me një person qe është në kërkim të krejt instancave shtetërore dhe mos me i tregu policisë, kjo është fshehje potenciale e lokacionit te kriminelit. Mimoza u dashtë me këput bisedën dhe me lajmëruar se filan deputeti sapofoli me Milan Radojqiqin”.