Nxënësit e shkollës së futbollit “Trepça” kundër dhënies së fushës

Nxënësit e shkollës së futbollit “Trepça” në Mitrovicë protestuan sot ne lidhje me dhënien në shfrytëzim të dikujt tjetër të fushës sportive “Xhevat Jusufi”.

Pjesëtarë të kësaj shkolle mbanin pankarta me thirrjen “Mos e voto”, thirrje kjo që shkoi drejt asamblistëve të cilët pritet që të enjten ta votojnë dhënien në shfrytëzim të kësaj fushe.

Drejtuesit e “Trepçës” thanë se kjo fushë nuk duhet të privatizohet ngase nxënësve të tyre u duhet që të paguajnë shtesë për t’u stërvitur aty.

Protestuesit shkuan edhe para objektit të komunës, ku u pritën nga kryetari, Agim Bahtiri, i cili tha se fëmijët nuk do të mbesin në rrugë ngase do të mund të stërviten aty edhe pas dhënies së kësaj fushe në shfrytëzim.

Ai po ashtu u shpreh se kur kjo shkollë e ka pasur në shfrytëzim një stadium, ka lënë pas vetes borxhe, si ato ndaj komunës, ujësjellësit dhe të energjisë elektrike dhe sipas tij kjo është edhe arsyeja se pse tenderi nuk u jepet atyre.