OEK-u: Skandali me “mishin belg” urgjentisht të trajtohet në Qeveri dhe Parlament

0
143

Shoqëria kosovare viteve të fundit është mbizotëruar nga temat politike të cilat janë për konsum ditor të politikanëve dhe nuk kanë sjell asnjë dobi në mirëqenien e përgjithshme në vend. Është koha e fundit që vendimmarrësit të angazhohen për mirëqenien e qytetarëve, duke aprovuar ligje dhe zbatuar politika që sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

“Shumica e vendeve të BE-së, por edhe BE si treg unik, ndër prioritet kryesor të politikave të tyre e kanë sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konkurrencës të lirë në treg dhe këtë e trajtojnë edhe si pjesë të sigurisë së tyre nacionale. Në Kosovë 19 vite të pasluftës kanë dëshmuar që hapja e tregut për shumë institucione dhe biznese, nënkupton edhe tregti me produkte pa asnjë standard, me cilësi të dyshimtë dhe përdorim të metodave joligjore në dëm të konkurrencës në treg”, thuhet në komunikatën e OEK-ut.

Këto çështjë janë adresuar vetëm në mënyrë sporadike, pra vetëm kur janë zbuluar në raste të caktuara, por asnjëherë nuk ka ekzistuar një veprim i koordinuar që garanton që ajo që e konsumojmë është e sigurtë dhe për të gjithë pjesëmarrësit në treg, “rregullat e lojës” janë të njëjta.

Skandali me “mishin belg”, ka ekspozuar shumë qartë rrezikun e vazhdueshëm nga prodhimet që shiten në Kosovë, por për shkak të preokupimeve me temat e “rëndësishme” politke, ende nuk po e merr vëmendjen e duhur institucionale. Oda Ekonomike e Kosovës, apelon që kjo çështje urgjentisht të trajtohet në Qeveri dhe Parlament, si dhe përmes dialogut publiko-privat. Në këtë drejtim, OEK propozon edhe disa veprime konkrete, që rasti në fjalë të mos mbetet pa përgjegjësi dhe pa adresë, por edhe të mos na përseritet në të ardhmen.

Veprimet e propozuara, janë në vijim:

1)      Të identifikohet tërë rrjeti tregtar që ka organizuar shitjen e “mishit belg”, i njejti të denoncohet publikisht dhe të nisen hetime nga prokuroria për tërë akterët e përfshirë;

2)      Të gjithë operatorëve biznesor të përfshirë në këtë rast të ju suspendohet licenca për import dhe eksport;

3)      Tregtia me produkte të rrezikshme dhe përdorimi i metodave të paligshme për dëmtim të konkurrencës, të klasifikohen si veprime që sanksionohen me Kodin Penal;

4)      Të përkahen prodhuesit vendor të produkteve ushqimore në arritjen e standardeve dhe cilësisë, por edhe në rritjen e kapaciteteve prodhuese;

5)      Të rritet buxheti për inspektime dhe sigurim të standardeve dhe cilësisë për të gjitha produktet që shiten në tregun e brendshëm;

6)      Të këtë angazhim të bizneseve për denoncim të praktikave të tilla që demtojnë konkurrencën dhe rrezikojnë të gjithë qytetarët;

“OEK e mirëpret bashkëpunimin me institucionet dhe bizneset në zbatimin e të gjitha veprimeve të lartëcekura dhe në të njejtën kohë zotohemi për një angazhim të vazhdueshëm në promovimin e vlerave të sektorit privat dhe luftimin e praktikave jo-etike dhe të paligjshme të të bërit biznes”, thuhet në përfundim të komunikatës.