Oferta e fundit e LDK-së për VV-në

Në kuadër të negociatave për bashkëqeverisje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është përmendur si opsion edhe dorëzimi i funksionit të Kryeparlamentarit nga VV tek LDK.

Kështu bëjnë të ditur për “Gazeta Blic” burime brenda takimit të djeshëm që zgjati rreth dy orë.

“LDK dje ka propozuar që Kryetari i Kuvendit të Kosovës t’i takojë LDK-së dhe ndarja e ministrive të bëhet ashtu siç janë dakorduar më herët 5 për VV dhe 5 për LDK. Po ashtu qëndrim i LDK ishte që funksionin e Kryeparlamentarit t’ia dorëzojë sërish VV-së në momentin që zgjidhet Presidenti i ri i nominuar nga LDK”, pohojnë burimet brenda këtij takimi.

Ndërkohë “Gazeta Blic” ka bërë përpjekje që edhe zyrtarisht të marrë qëndrimet e të dy partive lidhur me hapat që do të ndërmerren me tutje drejt finalizimit të marrëveshjes apo mbylljes së negociatave pa dakordim, por nuk kanë qenë të gatshëm të deklarohen asnjë nga përfaqësuesit e të dy partive.

Në orët e mbrëmjes së djeshem LDK përmes një komunikate ka konfirmaur se i ka paraqitur LVV-së ofertën për bashkëqeverisje, pa dhënë më tepër detaje.

“Të gjitha supozimet dhe hipotezat që po qarkullojnë sonte nëpër medie rreth diskutimeve të sotme në mes të LDK dhe LVV janë të pavërteta. LDK, në mirëbesim dhe me vullnet për të arritur marrëveshje, i ka paraqitur ofertën LVV-së për bashkëqeverisje”, thuhet në komunikatë.

Por se kanë shumë vështirës në finalizimin e marrëveshjes, kështu tha dje edhe zyrtari për informim në VV Arlind Manxhuka.

“Kurrë s’ka pasur kaq vështirësi e përpjekje në formim të koalicionit, kjo është e vërtetë. Pikërisht këtu qëndron fakti se po vendosen standarde të reja”, ka shkruar ai në një postim në profilin e tij në “Facebook”.

Ndryshe Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë takuar për tre ditë radhazi pas një pauze dy javore si përpjekje për të finalizuar marrëveshjen për koalicion.

Mirëpo, diskutimet kanë ngecur pasi që Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pranuar që të negociojë me pozitën e kryeparlamentarin, post, të cilin e ka marrë njeriu i dytë më i votuar në VV Glauk Konjufca.