Opozita do zgjedhje, nga LVV nuk janë shumë ‘pro’ kësaj ideje me arsyetimin se gjendja në veri është sensitive

Po shprehen të gatshëm ta dërgojnë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Bashkë po i bën pakënaqësia që kanë ndaj pushtetit.

Pjesë e kësaj nisme është edhe Partia Demokratike e Kosovës.

Nga kjo parti thonë se për rrëzimin e Qeverisë, forcat duhet t’i bashkojnë të gjitha partitë opozitare, përfshirë edhe ato të komuniteteve.

“ Që dy partitë e mëdha që janë, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike, të marrin iniciativa bashkë, ti bashkojnë të gjitha partitë politike duke përfshirë këtu edhe edhe partitë e komuniteteve që si front i përbashkët do të bënim një përpjekje për ta rrëzuar qeverinë” , ka thënë Xhavit Haliti nga PDK.

E nga Lidhja Demokratike thonë se me Qeverinë Kurti, Kosova ka pësuar regres tash e 3 vite.

“ Sa i përket LDK-së ne jemi shumë të gatshëm edhe është domosdoshmëri me këtë keqqeverisje me këtë keqmenaxhim që është bërë të parasë publike dhe mbi të gjitha me regresin që e ka bërë Kosova në këto tri vitet e fundit, ne aspektin ekonomik, mirëqenie sociale dhe të hapjes së vendeve të reja të punës dhe largimit masiv të qytetarëve” , ka deklaruar deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

Të gatshëm për zgjedhje janë edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“ Sa i përket Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ne jemi të gatshëm kemi qenë të gatshëm, dhe kemi punuar gjatë këtij mandati çdo vend, me çdo qytetar dhe mendoj që jemi të përgatitur fuqishëm, për të hy në zgjedhje” , tha Palaj Lekaj.

E nga partia në pushtet, vlerësojnë se opozita po do ta largojë vëmendjen nga situata në veri të vendit.

“ Kosova në këto momente ka ca vështirësi sidomos sensitivitetin në veri. Zgjedhjet vërtetë mund t’i ofrojnë nga njëra anë mund të mendohet se mund të ofrojnë hapësirë për tu shprehur për të garuar, por në anën tjetër mund të jenë shpërqendrim për situatën në veri, unë besoj te kjo e dyta” , ka thënë deputeti Armend Muja.

Zgjedhjet e fundit parlamentare janë mbajtur me 14 shkurt të vitit 2021, ku Lëvizja Vetëvendosje doli fituese dhe siguroi shumicën e deputetëve duke siguruar 58 ulëse në kuvendin e Republikës së Kosovës./teve1