Osmani: 7 zyrtarë serbë të Policisë së Kosovës kanë dhënë dorëheqje, BE të marrë masa ndaj Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se deri më tani në bazë të informatave të fundit nga organet e sigurisë kanë dhënë dorëheqje shtatë zyrtarë serbë të Policisë së Kosovës.

Në një konferencë për media pas vizitës në komunën e Klinës, Osmani ka thënë se frikësimi dhe shantazhimi i këtyre policëve po vjen nga Serbia teksa ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të marrë ndaj Serbisë dhe Vuçiqit për presionin ndaj policëve serbë.

“Sipas hetimeve të institucioneve tona përgjatë këtyre javëve, janë informata të konfirmuara, frikësimi dhe shantazhimi i tyre vjen nga Serbia, pra burimin e kanë në Serbi, ky shtet që fatkeqësisht vazhdon me agresion të hapur në raport me Kosovën, po vazhdon nëpërmjet institucioneve ilegale dhe kriminale në Kosovë tu bëjë presion qytetarëve serbë që janë pro-integrimit, shfrytëzimit të të drejtave që u ofron dhe Kushtetuta dhe Marrëveshjet e Brukselit”, ka thënë Osmani.