Osmani: Asociacionin e bëjmë sipas Drafit të BE-së nëse s’krijon nivel shtesë qeverisjeje dhe s’ka rrezik për “Srpska” të dytë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në paraqitjen para gazetarëve në Bruksel është pyetur edhe për çështjen e themelimit të Asociacionit.

Osmani ka thënë se emisarët më 21 tetor e kanë propozuar një Draft për komunat me shumicë serbe dhe se ai draft duhet të shkojë për verifikim në Gjykatë Kushtetuese. Osmani ka thënë se nëse është në përputhje me Kushtetutën, nëse s’e krijo një nivel shtesë të qeverisjes e nëse s’ka rrezik për “Srpska” të dytë, atëherë sigurisht që Kosova do ta themelojë.

Presidentja ka thënë se ata që e kanë shkruar Draftin kanë thënë se Asociacioni s’e bën asnjë prej këtyre, por thotë se vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta japë një konfirmim të tillë.

“Sigurisht, Marrëveshja e Brukselit, përfshinë implementimin e marrëveshjeve të kaluara. Emisarët propozuan një draft statut për komunat me shumicë serbe dhe ai duhet të shkojë në Gjykatë Kushtetuese. Nëse është në përputhje me Kushtetutën dhe nëse nuk krijon një nivel shtesë të qeverisjes, nëse s’paraqet ndonjë rrezik për një Republika Srpska të dytë , sigurisht që do të implementohet. Sigurisht, ata që e kanë draftuar janë të sigurt që s’e krijon asnjë prej këtyre, por Gjykata Kushtetuese është i vetmi trup që mund ta japë një konfirmim të tillë”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani./Express