Klinaku reagimin e partisë “Guxo” e quan skandal: Aty ofendohen qytetarët

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka reaguar ndaj komunikatës së partisë “Guxo”, e cila ka dënuar kërcënimet që bëhen ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Ai ka thënë se komunikata e kësaj partie ishte skandal.

Sipas tij, aty ofendohen qytetarët e Kosovës.

Me qenë ministra të qeverisë, aq më keq me udhëheqë diplomacinë e shtetit tonë e me lëshu skandal-komunikatë duke ofenduar qytetarët, veç në Kosovë guxojnë e pa reagim kalojnë!”, ka shkruar Klinaku në profilin e tij në “Facebook”.

Partia e drejtuar nga Donika Gërvalla e Faton Peci dje ka reaguar pas kërcënimeve ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Në një komunikatë për media, kjo parti politike ka konsideruar se këto zhvillime me “ritëm të përshpejtuar” po përkeqësojnë situatën e sigurisë në vend.

Partia GUXO dënon ashpër kërcënimet me vrasje që ditëve të fundit po i bëhen Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti. Kërcënimet në varg, që i bëhen z. Kurti, nga eksponentë të, ashtuquajtur, të krahut “radikal”, që mbrojnë “vlerat e luftës”, në emër të mbrojtjes së interesit kombëtar e të Kosovës, nga injorantë e trushplarë, janë veprime të cilave duhet prerë rrënjët menjëherë nga organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës. Askush nuk ka tagrin që të ndajë qytetarët në patriotë dhe tradhtarë dhe të lëshojë “fetva” për dënimin me vrasje të “tradhtarëve të atdheut”.” thuhet në komunikatë.