Osmani dekoron me Medaljen Presidenciale të Meritave mjekët që humbën jetën nga COVID-19

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka dekoruar post mortem me Medaljen Presidenciale të Meritave të gjithë punonjësit shëndetësorë që në krye të detyrën humbën jetën nga koronavirusi.

Ajo tha se ata e dhanë edhe frymën e fundit duke iu shërbyer pacientëve të tyre, prandaj meritojnë të nderohen, njofton Klan Kosova.

“Mijëra punonjës shëndetësorë u infektuan nga virusi OVID-19, si vija e parë e përballjes me pandeminë. Përderisa shumica i mbijetuan këtij virusi të rrezikshëm dhe menjëherë u kthyen në shërbim të pacientëve, disa prej tyre, për fat të keq, humbën jetën në këtë përballje. Kontributi i tyre, duke dhënë edhe jetën vetëm e vetëm për t’i shërbyer pacientëve të tyre, duke respektuar betimin e Hipokratit deri në frymën e fundit, meriton të nderohet nga të gjithë ne”, shkroi Osmani në Facebook.

“Prandaj, në përputhje me përgjegjësitë e mia kushtetuese, kam vendosur që të dekorojë, post mortem, me Medaljen Presidenciale të Meritave, punonjësit shëndetësorë të cilët derisa aktivisht po ofronin shërbime shëndetësore, u infektuan me COVID-19 gjatë pandemisë, dhe humbën jetën e tyre nga ky infeksion”.

Ceremonia e ndarjes së dekoratave do të organizohet së shpejti në Presidencë, në prani të familjarëve. Ndërkaq, lista e të dekoruarve do të përditësohet konform informatave që i marrin nga institucionet përgjegjëse.