Osmani: Dialogu me Serbinë e ka vetëm një epilog, njohjen reciproke

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë seancës solemne për nderë të 15-vjetorit të pavarësisë, ka thënë se Kosova ka shënuar progres të madh në rrugëtimin e saj demokratik përgjatë këtyre viteve.

Osmani është shprehur se shteti ynë nuk mund të jetë imun karshi sfidave e kërcënimeve të të gjithë atyre, që sipas saj, duan ta minojnë shtetësinë e Kosovës.

E para e vendit tha se procesi i dialogut me Serbinë e ka një epilog, e ajo është njohja reciproke, ashtu siç e përmendi presidenti amerikan Joe Biden në letrën e tij të urimit.

“Kosova nuk mund të jetë ishull i izoluar karshi sfidave e kërcënimeve. Sot e kësaj dite forca destruktive provojnë ta minojnë shtetësinë tonë. Në përballje me Serbinë, duhet dhe do të jemi një. Spektri politik i vendit do të jetë i bashkuar përballë të gjithë atyre që përpiqen ta minojnë shtetësinë tonë. Procesi i dialogut me Serbinë e ka një epilog që e konfirmoi edhe presidenti Biden në letrën e tij dërguar dje, e ajo është njohja reciproke”, tha Osmani në seancën e Kuvendit.

Presidentja Osmani ka dhënë nderime për të rënët e luftës për liri, përfaqësuesit që kontribuuan në shtetndërtim dhe të policëve e ushtarëve. Ajo ka përmendur ushtarët e FSK-së të cilët gjenden në Turqi në ndihmë të të prekurve nga tërmeti, duke thënë se nuk duhet të harrohet kontributi i shërbyesve të shtetit.

“T’i kujtojmë bijtë e bijat tonë që të rreshtuar në UÇK sakrifikuan jetën në mbrojtje të vendit, komandantin Adem Jasharin që i priu rezistencës për liri, t’i kujtojmë përfaqësuesit e institucioneve të pavarura që për 15 vjet kontribuuan në këtë vend. Kujtojmë edhe kontributin e ushtarëve e policëve tanë, përfshirë ushtarët e FSK-së që derisa sot ne po festojmë 15 vjetorin e shteti tonë, ata po luftojnë për shpëtimin e jetën nën rrënojat e ndërtesave të shembura nga tërmeti tragjik që goditi Turqinë dhe Sirinë”.

Osmani ka falënderuar bashkësinë ndërkombëtare për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës për liri dhe pavarësi.

“Kur ne jemi të shtypur e luftonim për lirinë, kur u çliruam dhe filluam jetën demokratike, ata janë këtu edhe sot, partner të besueshëm e të qëndrueshëm që bashkërisht po e ndërtojmë të ardhmen tonë”.

Presidentja ka deklaruar se karshi Serbisë Kosova është e bashkuar, pavarësisht dallimeve. Ajo ka theksuar se forcat destruktive po provojnë ta cenojnë shtetësinë, por siç ka thënë ajo, përpara Serbisë “jemi një”.