Vendosja e kontejnerëve në Bërnjak, Policia e Kosovës i reagon zyrës së Petkoviqit

Policia e Kosovës i ka reaguar të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë lidhur me vendosjen e pajisjeve logjistike dhe kontejnerëve në Bërnjak.

Nëpërmjet një komunikate për medie nga Policia kanë thënë se këto pajisje do t’iu shërbejnë zyrtarëve policorë të policisë kufitare për kryerjen e detyrave policore, në interes të ofrimit të sigurisë për qytetarët dhe realizimin e detyrave të tyre ligjore.

“Policia e Kosovës, në zbatim të “Ligjit për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror” si dhe në përkrahje dhe mbështetje të personelit policorë me hapësira pune e pajisje logjistike, sot ka bërë dërgimin e pajisjeve logjistike dhe kontejnerëve në Bërnjak. Këto pajisje do t’iu shërbejnë zyrtarëve policorë të policisë kufitare për kryerjen e detyrave policore, në interes të ofrimit të sigurisë për qytetarët dhe realizimin e detyrave të tyre ligjore.

Zyrtarët policorë për mbikëqyrje të vijës së gjelbër në këtë zonë, kanë pasur mungesë të hapësirës dhe kushteve të punës, ky dërgim i pajisjeve logjistike dhe kontejnerëve, do t’iu krijojë hapësira dhe kushte më të mira për punë, do të rrisë efikasitetin në përmbushjen e detyrave dhe parandalimin e kontrabandës. Në vazhdën e luftimit të aktiviteteve kriminale-kontrabandës ditë më parë janë ndërmarrë veprime konkrete në mbyllje të disa rrugëve ilegale që shërbenin për kontrabandë.

Këto veprime që kanë të vetmin qëllim ofrimin e kushteve më të mira të punës për zyrtarët policorë të kufirit dhe luftimin e dukurive antiligjore-kontrabandës, nga e ashtuquajtura Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, është interpretuar në mënyrë politike-tendencioze duke e shtrembëruar realitetin për kinse veprime me qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë, e që në fakt këto veprime janë realizuar për ofrim të sigurisë dhe zbatimit të ligjit”, thuhet në njoftim.

Më tej Policia e Kosovës ka njoftuar se do të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave policore në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë së përgjithshme.