Osmani: Përplasjet Thaçi-Mustafa janë artificiale

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i ka quajtur artificiale përplasjet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në mes të Presidentit Hashim Thaçi dhe Kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.

“Si në vitin 2013 kur është nënshkruar marrëveshja, si në vitin 2015 kur është nënshkruar dokumenti, në të dyja rastet kanë qenë bashkë dhe këto dy palë e kanë përkrahur njëra-tjetrën. Në vitin 2015 e kam thënë në Kuvend, Thaçi i rrinte prapa Mustafës si një lloj miratimi të nënshkrimit të dokumentit për asociacionin”, ka thënë Osmani.

“E kanë përkrahur njëri-tjetrin dhe më duket si përplasje artificiale. Pavarësisht deklarimeve ajo që mbetet e vërtetë është se krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është i rrezikshëm për Kosovën”.

Osmani është shprehur se nëse palët e kanë kuptuar këtë përgjatë rrugë është lajm i mirë.

“Më mirë vonë se kurrë. Të gjithë të bashkuar ta kundërshtojnë krijimin e një trupe të tillë që është prelud për ndarjen e vendit. Do ta destabilizonte vendin për një kohë të gjatë”.

“Është rrugë e keqe nëse Kryeministri Avdullah Hoti e ka nisur atë. I bëjmë thirrje që të mos ju hyjë aventurave të tilla të rrezikshme”.