Deputeti i VV-së e kritikon fort Dimal Bashën: Qeveria po na shtin në konflikt me tana grupet e shoqërisë

Që nga 25 gushti, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës bashkë me Bashkimin e Sindikatave te Pavarura kanë hyrë në grevë.
Pikërisht kjo çështje, është diskutuar sot në Komisionin për Arsim, pjesë e të cilit diskutim ka qenë edhe SBASHK-u, shkruan lajmi.net.

Gjatë debatit, deputeti i LVV-së, Dimal Basha, ka treguar qasje arrogante ndaj kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, duke e ngritur edhe zërin ndaj këtij të fundit.

Rreth qasjes së Bashës dhe qasjes së qeverisë ndaj grevës në arsim, lajmi.net ka kontaktuar me deputetin e LVV-së, Fatmir Humolli.

Humolli në prononcimin e tij ka thënë se, kjo sjellje me arrogancë është e dëmshme dhe se nuk ka të bëjë me natyrën dhe kulturën shqiptare.

Ai ka shtuar po ashtu se punëtorët e arsimit kanë plotësisht të drejtë.

“Kam refuzuar që të jam pjesë e çdo komisioni për miqësi me shtetet e jashtme në qoftë se ne nuk ndërtojmë raporte dhe miqësi mes vete. Edhe kjo sjellje me arrogancë mes veti është shumë e dëmshme dhe nuk ka të bëjë me natyrën edhe kulturën shqiptare. Për punëtorët e arsimit, kjo është jo korrekte. Punëtorët e arsimit kanë të drejtë plotësisht”, ka thënë ndër tjerash ai.

Tutje deputeti i VV-së, ka shtuar se qeveria sipas tij, është e shkëputur prej realitetit objektiv dhe se qeveria ka krijuar konflikt me të gjitha grupet shoqërore, si mjekët, veteranët e luftës dhe punëtorët e arsimit.

“Qeveria është e shkëputën prej realitetit objektiv që është në Kosovë për gjithçka. Edhe për ata kam kërku që duhet më reflektu qeveria. Kjo deri tani, qeveria është duke na shti në konflikt me tana grupet shoqërore, na ka shti në konflikt me mjekë, na ka shti në konflikt me punëtorët e arsimit, me veteranët e luftës. Tash nuk e di se si do të reflektojë, por për momentin qeveria është e shkëputën prej realitetit objektiv se çfarë ndodhë në Kosovë”, ka shtuar Humolli.

Më tej, ai ka deklaruar se në kushte normale, sipas tij, Ministri i Financave, Hekuran Murati do duhej të shkarkohej.

“Është një sjellje burokrate me njerëz, me ministra, që në kushte normale Ministri i Financave ish dashtë me dhanë dorëheqje derisa janë humb 160 milionë euro. Dhe ai sillet me një komoditet pa dhanë kurrfarë llogarie. Kur dihet që të gjitha shtetet në këtë kohë krizë kanë marrë masa që më rujt financën, më i rujt asetet shtetërore, këtu tek ne i qesin parët e Trustit jashtë, dhe jepen sikur nuk kanë përgjegjësi”, ka përfunduar Humolli.

Ndryshe, sot në Komisionin për Arsim raportoi kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj bashkë me anëtarë tjerë të sindikatës.

Kjo mbledhje u ndal në gjysmë pasi deputeti i VV-së, Dimal Basha, vazhdoi debatin me një qasje arrogante ndaj Jasharajt, të cilin e akuzoi për agjendë politike dhe qëllime jo të pastërta.