Osmani: Zbatimi i vendimit për dinarin i mundshëm vetëm me mbështetjen e aleatëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se procesi i largimit të kryetarëve të katër komunave veriore, është duke u realizuar konform procedurave të përcaktuara me ligj.

Në konferencën e përbashkët me të dërguarin special të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e para e shtetit tutje u shpreh se pret që ky proces të realizohet brenda parametrave kushtetues e ligjor dhe sipas afateve të parapara.

“Në kuadër të punës sonë të përbashkët edhe procesi i largimit të kryetarëve në katër komunat veriore është duke u realizuar konform të procedurave të përcaktuara me ligj dhe me udhëzim administrativ në mënyrë që qytetarët e komunave të veriut të mund të realizojnë të drejtë e tyre të garantuar në ligjin për vetëqeverisje lokale. Presim që ky proces të realizohet brenda parametrave kushtetues e ligjor dhe sipas afateve të parapara”, tha Osmani.

Presidentja poashtu foli edhe për çështjen e dinarit.

Ajo tha se zbatimi i qëndrueshëm dhe efikas i kësaj rregulloreje është i mundshëm në bashkëpunim të plotë dhe me mbështetjen e aleatëve të Kosovës.

“Zbatimi i qëndrueshëm dhe efikas i kësaj rregulloreje është i mundshëm në bashkëpunim të plotë dhe me mbështetjen e aleatëve tanë. Aleatët tanë janë pro zbatimit të kushtetueses dhe në favor të një plani tranzicional të qëndrueshëm, prandaj besoj që edhe çështja e kësaj rregulloreje do të ecet përpara me një zgjidhje të përbashkët e në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Faleminderit për angazhimin e ShBA-ve që në rrugëtimin tonë të shënojmë suksese të reja në dobi të të gjithë qytetarëve tanë”, shtoi Osmani.