OVL e UÇK-së kërkojnë ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale (Video)

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në një konferencë për medie vlerësuan se aktakuza e ngritur e pakonfirmuar nga prokuroria e specializuar për presidentin, Hashim Thaçi dhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli është kryekëput politike. Madje ata po kërkojnë nga Kuvendi i Kosovës të ndryshohet ligji për Gjykatën Speciale dhe të futen edhe krimet e kryera në Kosovë nga pala serbe, shkruan Fokusi.info.

Kryetari i OVL-UCK-së, Hysni Gucati tha se Gjykata Speciale është formuar nga raporti i Dick Martit dhe kjo është një e pavërtetë e madhe ku thuhet se ndodhen një shtëpi e verdhë ku janë heqje organet njerëzore. Sipas tij këto fakte nuk qëndrojnë fare dhe janë të pavërteta.

Nënkryetari i OVL-UCK-së, Nasim Haradinaj tha se nga mbledhja e këshillit drejtues kanë dal me disa vendime siç është se ngritja e aktakuzës së pakonfirmuar dhe momenti kur është bërë publike kjo aktakuza tregon se Gjykata Speciale është e ndikuar politikisht dhe në mënyrë të kundërligjshme po tentohet të pengohet procesi i dialogut Kosovë-serbi.

Madje, Haradinaj nuk i ka përjashtuar as protestat.

Këto ishin rekomandimet që nxori Këshilli Drejtues i OVL UÇK-së, në mbledhjen e mbajtur sot:

1. Në mënyrë unanime, edhe një herë u tha se jemi kundër gjykatës speciale;

2. U konstatua se bërja publike e ngritjes së aktakuzës së pakonfirmuar dhe momenti në të cilin u bë, tregon qartë atë që është thënë vazhdimisht se kjo gjykatë e sidomos prokuroria në Hagë, është e ndikuar politikisht, gjë që e bën të kundërligjshëm gjithë procesin;

3. Ngritja e kësaj aktakuze është bërë me qëllim të caktuar, e sidomos për ta penguar procesin e dialogut Kosovë-Serbi;

4. Të kërkohet nga Kuvendi i Kosovës që ta ndryshoj ligjin për gjykatën speciale, për arsye se duhet të gjykohen të gjitha krimet e kryera në Kosovë;

5. OVL UÇK do të përdor të gjitha format demokratike të kundërshtimit të kësaj gjykate, duke mos përjashtuar as protestat, si formë presioni ndaj Kuvendit të Kosovës;

6. U dënuan sjelljet e disa personave e sidomos atyre zyrtarë, të cilët i manifestojnë përkrahje ndaj aktakuzave akoma të paverifikuara./Fokusi.info.