OVL e UÇK-së proteston më 17 Shkurt, shkak seanca gjyqësore në Hagë

Vendimi i Gjykatës Speciale që seanca tjetër përgatitore për rastin ndaj krerëve të UÇK-së do të mbahet më 17 shkurt, nuk është pritur mirë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Për këtë, ushtruesi i detyrës së kryetarit së kësaj organizate, Faton Klinaku ka paralajmëruar protestë.

Siç thotë ai, është vërtetuar se kjo Gjykatë është politike.

“Ashtu siç e kemi thënë vazhdimisht që nga themelimi i saj, është vërtetuar se Gjykata Speciale është gjykatë politike, që nuk sjell drejtësi e nuk ndjek krime, por vetëm i ndjek shqiptarët dhe atë me akuza, shpifje dhe dokumentacione të Serbisë pushtuese. Në ditën e pavarësisë, më 17 shkurt, kjo pseudogjykatë e Kosovës mban seancë ndaj krerëve të UÇK-së, e ne do të mbajmë protestë kundër saj”, ka shkruar ai në Facebook.

Kreu i trupit gjykues, Charles Smith, ka bërë dje me dije se seanca tjetër përgatitore për rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të mbahet më 17 shkurt, ndërsa gjykimi të fillojë më 1 mars, nëse nuk ka rrethana përjashtimore./Fokusi.info/