OVL reagon ndaj Presidentes: UÇK nuk mund të mbrohet me fjalë goje

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK’së (OVL-UÇK), ka reaguar ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke thënë se UÇK dhe pjesëtarët e saj nuk nuk mund të mbrohen me fjalë goje, shkruan Fokusi.info.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të kësaj organizate, Faton Klinaku, me anë të një postimi në Facebook, ka kritikuar edhe kryeministrin Albin Kurti për përzirjen në fushatën zgjedhore në Shqipëri.

Ai thotë se UÇK duhet të mbrohet me vepra konkrete, siç është ligji dhe zbatimi i tij me akte nënligjore.

“UÇK-ja është duke u përballur me Serbinë në pseudogjykatën e Kosovës në Hagë, ndërsa krerët e shtetit dhe institucionet përgjegjëse bëjnë “sehir” në ndjekjen dhe gjykimin e krimeve, masakrave e gjenocidit të shkaktuar nga Serbia dhe serbët”, ka shkruar Klinaku.

Postimi i plotë:

Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe pjesëtarët e saj, nuk mund të mbrohen me fjalë goje nga askush e as nga Presidentja, por me vepra konkrete siç është ligji dhe zbatimi i tij me anë të akteve nënligjore.

UÇK-ja është duke u përballur me Serbinë në pseudogjykatën e Kosovës në Hagë, ndërsa krerët e shtetit dhe institucionet përgjegjëse bëjnë “sehir” në ndjekjen dhe gjykimin e krimeve, masakrave e gjenocidit të shkaktuar nga Serbia dhe serbët.

Në vend se të bashkëpunohet me Shqipërinë në të gjitha aspektet, e edhe në çështjen e pandemisë siç është vaksinimi, Kryeministri ynë përzihet në punët e brendshme të saj, duke bërë fushatë elektorale për t’i zgjedhur njerëzit e tij atje, me qëllim që t’i përdor kundër pushtetit të zgjedhur./Fokusi.info/