OVL-UÇK: Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Prokurorinë për të gjitha rastet e manipulimit me listat e veteranëve

0
242
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), ka inkurajuar organet e drejtësisë për vënien para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë shkelur ligjin, që kanë kryer vepra penale dhe kanë manipuluar me listat e veteranëve.
OVL UÇK përmes një komunikate ka theksuar se është kundër fushatës së mediave dhe individëve të caktuar, që përmes rasteve individuale të njollosin të gjithë veteranët e luftës së UÇK-së, transmeton Fokusi.info.
“Përgjegjësia penale është individuale dhe të gjithë ata që kanë kryer vepra, duhet të përgjigjen para ligjit, pavarësisht se çfarë kategorie të qytetarëve i takojnë. OVL UÇK ka shprehur gatishmërinë që të bashkëpunoj me prokurorinë e shtetit, për të hetuar dhe zbardhur të gjitha rastet e manipulimit me listat e veteranëve. Mirëpo, është kundër dhe dënon fushatën mediale dhe fyerjet që i bëhen organizatës dhe kryetarit të saj Hysni Gucati”, thuhet në komunikatë.
Sipas kësaj organizate, kryetari Gucati është njeri i dëshmuar në luftë, në të cilën dha edhe gjymtyrët e tij.
Organizata vlerëson se Gucati funksionin e tij si kryetar i Organizatës së Veteranëve, e ushtron në bazë të zgjedhjes demokratike, nga një kuvend i përgjithshëm me delegatë të të gjitha degëve.
“Fryrjet dhe cilësimet nga ana e Vehbi Kajtazit, se drejtuesit e OVL UÇK-së që nga paslufta e deri te Hysni Gucati janë idiotë, për organizatën janë të papranueshme e të dënueshme dhe kërkojmë nga mediat dhe pronarët e tyre që të përmbahen nga kualifikimet e ulëta të tyre, sepse këta në rend të parë janë në kundërshtim me etikën profesionale dhe sjelljet normale të një qytetari të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Kryetari i OVL UÇK-së është deklaruar se nuk ju beson organeve të drejtësisë së EULEX-it, dhe ky mosbesim ka ardhur pas ngritjes së shumë akuzave ndaj pjesëtarëve të UÇK-së që nuk janë provuar para gjykatave të Kosovës dhe vet deklaratat e ish gjyqtarëve të EULEX-it siç ishte Malcolm, i cili zbuloj para opinionit skenarët e prokurorëve dhe gjyqtarëve të EULEX-it për të dënuar e komprometuar ushtarët e UÇK-së.
“Kurse, sa i përket ngritjes së akuzës së fundit, ai thërret opinionin që të jenë më të arsyeshëm dhe kjo gjë t’i lihet organeve kompetente e jo portaleve, të cilat siç duket nuk duan që të zbardhet dhe fitoj drejtësia por vetëm se kush më tepër përfiton klikime përmes përhapjes së shpifjeve, trillimeve dhe të pavërtetave”, thuhet në përfundim të komunikatës.