Paçarizi: Politika e Kosovës përbëhet nga fëmijë të llastuar dhe tekanjoz

Profesori universitar, Rrahman Paçarizi, tha në Rubikon të KTV-së se lidershipi i Kosovës përbëhet nga fëmijë të llastuar dhe tekanjoz.

“Fatkeqësisht lidershipi i Kosovës përbëhet nga fëmijë të llastuar dhe tekanjoz, të cilët do të doja t’i quaja të tillë, por nuk janë, pasi janë të pasinqertë. As kryeministri Haradinaj, as Thaçi e as Mustafa nuk ia duan të keqen Kosovës, por renditja e patriotizmit është jo relevante. Nëse atyre ju intereson për Kosovë, duhet t’i prezantojnë argumentet për qëndrimet e tyre”, u shpreh Paçarizi.

Ai ka shtuar se politikanët duhet të jenë më të përgjegjshme.

“Ata nuk janë këtu të na tregojnë se cili është më maneken se tjetri, cili ka leksik më të pasur. Ata duhet të sillen me përgjegjësinë që u takon liderëve të shtetit jo të sillen me kaq papërgjegjësi. Ne paradite mendojmë që SHBA do të na bëjë sanksione, pasdite mendojnë që Kurti do ta bëjë këtë vend xhenet me politikat e tij sociale, në mbrëmje mendojmë që do të na bombardojë Bonsteel-i. Deri në këtë nivel është degradu logjika e qytetarëve të Kosovës për shkak të sjelljeve të papërgjegjshme të liderëve tanë”, u shpreh Paçarizi.