Pacolli i dërgon letër publike Kurtit

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, i ka shkruar letër të hapur kryeministrit Albin Kurti, siç ka thënë, në interes të Republikës së Kosovës.

Ai përmes një postimi në Facebook ku e ka publikuar letrën, ka thënë se mbështetësit e Kurtit do ta sulmojnë e ofendojnë, por që kjo është Kosova e sotme, ku populizmi mposht arsyen.

Pacolli ka thënë se e ka parë refuzimin e bashkëpunimit dhe talljen e sulmet ndaj kujtdo që nuk është pajtuar me të.

“Nuk pres që ju të reflektoni dhe të merrni kahjen e bashkëpunimit dhe të racionalitetit politik në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës sonë, por më vjen keq që kemi ardhur si një shtet i ri dhe një shoqëri në këtë gjendje ku polarizimi ka arritur në shkallën shqetësuese që është e dhimbshme që nuk mund të bëjmë më shumë bashkë si shtet për interesat jetike të Kosovës. Përgjegjësia për këtë drejtim të vendit është gjithmonë e mazhorancës dhe liderit të saj, në këtë rast ju kryeministër Kurti”, ka shkruar ai ndër të tjera.

“Për shkak të kokëfortësisë dhe mungesës së vizionit tuaj politik dhe pragmatik, të ndërtuar historikisht mbi gënjeshtrat politike të dekadave të fundit me kauza të rreme politike për demarkacion, dialog me Serbinë dhe mbi të gjitha për rrugëtimin shtetformues të Kosovës, sot Kosova është sjellë në këtë gjendje. të izolimit, polarizimit dhe frikësimit autoritar. Veprimet tuaja të pakoordinuara me aleatët, term me të cilin e keni bërë shaka dhe keni sulmuar çdo kohë, po e dëmtojnë Kosovën. Kosova ka funksionuar mbi këtë parim të shenjtë të kordinimit me aleatët që është shtylla e pavarësisë dhe lirisë sonë”, ka shkruar Pacolli.