Pak vaksinime, shumë frikë nga vala e tretë e COVID-19

Deri më sot në Kosovë, vetëm 166,148 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë të vaksinës anti-Covid, ndërsa 487,685 e kanë marrë dozën e parë.

Këto shifra rezultojnë shumë të ulëta duke e parë se numri i rasteve ditore me COVID-19 brenda një javë është rritur për disa qindra herë. Gjithashtu, numri i vaksinimeve ditore është i ulët.

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë dhënë vetëm 9,590 vaksina anti-Covid, ndërsa janë regjistruar edhe 352 raste të reja me virusin Covid-19.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti thotë se mënyra më e mirë për të siguruar shëndetin e përgjithshëm karshi COVID-19 është përgjigjja vullnetare ndaj vaksinimit.

Sipas tij, varësisht nga shkalla e përfshirjes së popullatës në vaksinim edhe do të ndërmarrin veprime, mirëpo nuk e përjashtojnë mundësinë për kufizim të masave për qytetarët që refuzojnë të vaksinohen.

“Mënyra më e mirë është që qytetarët vetë t’i përgjigjen në mënyrë vullnetare procesit të vaksinimit duke qenë që kështu ata sigurojnë shëndetin e tyre, familjes dhe komunitetit. Normalisht ne shohim praktikat që po i ndërmarrin shtetet e tjera dhe nuk përjashtohet asnjë lloj mundësie që procesi i vaksinimit të rritet, që të kemi përgjigje më pozitive të popullatës, por tani për tani në Kosovë janë duke u administruar dozat e para dhe të dyta ne do shohim dhe do bëjmë analiza të rregullta se cila është shkalla e përfshirjes së popullatës në vaksinim e cila nuk përjashton mundësinë edhe të ndonjë mase restriktive sikur që nuk përjashtohet mundësia edhe të ndonjë mënyre tjetër të bërjes së procesit më atraktiv që qytetarët të kenë më tepër vullnet për t’u vaksinuar. Sepse e dimë është një kategori e qytetarëve që ende hezitojmë të marrin vaksinën por për fat të mirë në bazë të hulumtimeve të Institutit dhe MSh shohim që dita-ditës po zvogëlohet numri i hezituesve dhe po rritet interesimi”, theksoi ai.

Ndërsa, infektologu Ilir Tolaj e konsideron plotësisht normale që autoritetet të ndërmarrin veprime kufizuese për qytetarët që refuzojnë vaksinimin anti-COVID.

Tolaj thotë se nëse institucionet shëndetësore vlerësojnë se njerëzit po refuzojnë vaksinimin atëherë duhet të ndërmerren masa detyruese për vaksinim.

“Është plotësisht normale që autoritetet të ndërmarrin veprime kufizuese në jetën e tyre të përditshme por edhe në punë të të gjithë atyre që refuzojnë vaksinimin dhe nuk kanë asnjë arsye për ta refuzuar atë… Nëse njerëzit e pranojnë vaksinimin bëhet më i përshpejtuar sesa që është deri tani atëherë detyrimet nuk janë të domosdoshme, por nëse vaksinimi refuzohet nga njerëzit duke rrezikuar mirëqenien e komunitetit një gjë e tillë duhet të bëhet. Çfarëdo të jenë ato modalitete duhet që të peshohen dhe analizohen… Nuk e kam parë në Kosovë që ekziston një studim se sa për qind e popullatës janë duke refuzuar, gjithashtu numri i vogël i të vaksinuarve deri më tani mund t’i atribuohet edhe mungesës së vaksinave dhe mungesës së rrjetit adekuat të vaksinimit të njerëzve. Njerëzit nuk e kanë pasur aksesin aq të lirë dhe shpesh e kanë pasur të ndërlikuar dhe rrjedhimisht kjo mund të jetë një pengesë e tillë. Nëse vlerësohet në bazë të të dhënave se njerëzit po e refuzojnë vaksinimin për shkak të bindjeve të tjera dhe se vaksinimi nuk do ketë suksese për shkak të këtij refuzimi atëherë autoritetet duhet të përgatiten dhe të aplikojnë masa detyruese për vaksinim”, theksoi Tolaj.

Me këtë janë pajtuar edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. të cilët thonë se këto veprime mbrojnë jetën e qytetarëve.