Pallaska: Nëse Kurti i realizon idetë e tij, këto zgjedhje mund të jenë të fundit për Kosovën si demokraci kushtetuese

Avokati i njohur, Dastid Pallaska ka thënë se Vetëvendosje me mbajtjen e Albin Kurti si bartës të listës zgjedhore përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese po tregon se kjo parti e konsideron se vendimet e tyre kanë epërsi mbi vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Pallaska ka thënë se slogari i duhur i Lëvizjes Vetëvendosje në këto zgjedhje do të duhej të ishte “PARTIA PARA SHTETIT”.

Tutje, ai ka thënë se këto zgjedhje mund të jenë të fundit të Kosovës si demokraci kushtetuese, duke shtuar se Kurti na ka paralajmëruar për regjimin e tij dhe nuk mund të thuhet se ka ardhur në pushtet me premtime të rrejshme të demokracisë liberale.

Ky është postimi i plotë:

Lëvizja Vetëvendosje e paska mbajtur liderin e vet si bartës të listës zgjedhore përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ky veprim është tregues i qartë se kjo parti politike konsideron se vendimet e veta kanë epërsi ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Mbi këtë bazë, slogani i Lëvizjes Vetëvendosje për këto zgjedhje duhet të jetë PARTIA PARA SHTETIT.

Ata/o që nuk e kuptojnë këtë slogan mund të pyesin në Shqipëri si përfundoi kjo “ide shtet-ndërtuese” para 30 viteve.

Një gjë duhet t’ia njohim kësaj partie politike.
Na ka paralajmëruar saktë për regjimin që do ta instalojë në vend pas zgjedhjeve. Nuk mund të thuhet se erdhi në pushtet me premtime tē rrejshme të demokracisë liberale.
Rrjedhimisht, nëse idetë e kësaj partie politike realizohen deri në fund brenda mandatit të ardhshëm qeverisës, këto zgjedhje mund të jenë historike edhe si zgjedhjet e fundit të Kosovës si demokraci kushtetuese.