Palmer: Më 1 korrik të zgjedhurit e rinj marrin detyrën, kush pengon zgjedhjet shkëput marrëdhëniet me SHBA

Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer u shpreh qartë dhe prerë se SHBA do të shkëpusë marrëdhëniet me ata që tentojnë që të pengojnë zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri.

Një paralajmërim i fortë ky për Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialialiste për Integrim, për udhëheqësit e të cilave, Palmer bën një kërkesë të hapur ndaj Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit

“Pengimi i zgjedhjeve mund të përbëjë bazë për t’u përjashtuar nga marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Është përgjegjësi e udhëheqësve të opozitës t’ia bëjnë të qartë përkrahësve të tyre të jenë paqësorë dhe të mos ketë dhunë. Për SHBA-të, 30 qershori është ditë zgjedhjesh, që do të monitorohet si nga vëzhgues të OSBE/ODIHR ashtu edhe nga ambasada e SHBA në Tiranë” tha ai.

Fakti që në shumicën e bashkive nuk ka garë kandidatësh, Palmer tha se kjo nuk i bën zgjedhjet e 30 qershorit të pavlefshme. Zyrtari i lartë amerikan tha se duhet të sigurohet qeverisja lokale, dhe se të zgjedhurit e rinj më 1 Korrik, duhet të qeverisin – theksoi Palmer. Por ai shtoi se me krijimin e Gjykatës Kushtetuese pas zgjedhjeve, do t’i takojë këtij institucioni të caktojë ligjshmërinë ose jo të dekreteve të presidentit Meta, veçanërisht më të fundit, për 13 tetorin si datë të re të zgjedhjeve vendore.

“Nëse Gjykata Kushtetuese vendos, zgjedhjet mund të përsëriten tha Palmer. Zyrtari i lartë amerikan tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se askush nuk duhet t’i pengojë zgjedhjet dhe se të gjitha mosmarrëveshjet mund t’i zgjidhë më pas pikërisht Gjykata Kushtetuese”.