PAN-i kritikon LVV-në e LDK-në për vonesën e formimit të qeverisë

Dy partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit ende nuk e kanë arritur ujdinë për formimin e qeverisë së re. Për ish-partitë e koalicionit PAN mosdakordimi i Lëvizjes Vetëvendosje me Lidhjen Demokratike të Kosovës e ka shpërfaqur luftën e tyre për pushtet dhe jo dëshirën për ta nxjerrë vendin nga paraliza institucionale.

Kësisoj, edhe nëse formohet qeveria nga LVV-ja e LDK-ja ish-qeveritarët theksojnë se do ta ketë jetën e shkurtër.

Hiset në qeveri dhe pozita e të parit të shtetit ka kohë që e kanë stagnuar arritjen e marrëveshjes së koalicionit qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Përpjekjet e tyre 70-ditore për formimin e qeverisë së re ish-qeveritarët e koalicionit PAN po i shohin si të dështuara, shkruan sot Zëri.

Ndonëse po shprehen skeptikë se këto dy parti, dikur opozitare, do të arrijnë ta bëjnë qeverinë e ardhshme, ish-pushtetarët theksojnë se edhe nëse arrijnë një gjë të tillë prej LVV-së dhe LDK-së nuk do të pritet ndryshimi i proklamuar në fushatën e zgjedhjeve të 6 tetorit. Madje ata konsiderojnë se koalicioni i mundshëm LVV – LDK nuk do ta ketë jetën e gjatë në qeveri.