Pandeli Majko dhe Ramiz Lladrovci vizituan prindërit e Hashim Thaçit

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se sot së bashku me Pandeli Majkon dhe deputetin Fatmir Xhelili, kanë vizituar prindërit e Presidentit Hashim Thaçi në Burojë.

Lladrovci ka thënë se mikpritësi i tyre ishte babai i Thaçit i cili me Majkon diskutuan për kohën e luftës së UÇK-së.

“Baca Haxhi ishte mikpritësi ynë, me të cilin Z. Majko diskutoi dhe evokoi kohën e luftës çlirimtare, në kohën kur ai ishte kryeministër i Shqipërisë, kur popullit të Kosovës i kanosej asgjësimi, kohë kur burrat e gratë, vajzat e djemtë më të devotshëm të kombit, nën udhëheqjen e UÇK-së, në bashkëpunim me NATO-n i dolën zot atdheut”.

“Z. Majko i shprehi respektin e thellë Bacës Haxhi dhe tërë familjes Thaçi e cila i rezistoi deri në ditët e sotme, akuzave të ndryshme të fabrikuara kundër çlirimtarëve, në vend se të akuzohen ideatorët dhe kryesit e mbi 400 krimeve masive në përmasa gjenocidi, anë e kënd Kosovës”.

“Me Z. Majko kishim për qëllim ta vizitojmë edhe Familjen e Kadri Veselit, për të shprehur solidarizimin dhe përkrahjen e plotë në këto rrethana, por për shkaqe objektive nuk kemi mundur ta realizojmë”, ka shkruar Lladrovci në rrjetin social Facebook.