Paradoks i madh! Aeroplanmbajtësja më e rëndësishme e SHBA-së komandohet nga një iranian

E gjithë bota i ka kthyer sytë tek konflikti midis SHBA-Iran, e cila në rast të përshkallëzimit përfshin dhe shumë vende të tjera gjeo-politike, por edhe vendin tonë (Duke ju referuar kështu deklarimeve te liderit Shpirtëror iranian Ali Hosseini Khamenei, i cili e cilësoi Shqipërinë si një vend djallëzor).

Gjithçka nisi nga vrasja e gjeneralit iranian Qassem Soleimani i cili u vra nga forcat amerikane me anë të një rakete ditët e para të janarit. Në shenjë hakmarrjeje Irani lëshoi ndaj dy bazave të ushtrisë amerikane në Bagdad disa raketa balistike, por fatmirësisht duke mos dëmtuar asnjë ushtar nga ky akt hakmarrës të tyre. Duke parë acarimin mes palëve shumë analistë, historianë, por edhe studiues kanë shtruar hipotezën se mund të kemi fillimin e një lufte midis Iranit dhe SHBA-së.

Por në qoftë se një sulm i ri amerikan do të niste, me shumë mundësi ajo do të fillohej nga aeroplanmbajtësja bërthamore Harry S.Truman, e cila ndodhet në veri të gjirit Persik së bashku me flotën e pestë amerikane. Por pikërisht këtu krijohet edhe një paradoks i madh, një nga mjetet më të fuqishme dhe të kushtueshme të forcave detare amerikane drejtohet nga një person me origjinë dhe i rritur në Teheran (kryeqyteti i Iranit).

Kapiteni Kavon Hakimzadeh ka lindur në Texas, i biri i një iraniani dhe një amerikaneje, dhe ka jetuar në vendin aziatik deri në moshën 11 vjeçare. Familja e tij u largua pas revolucionit komeinist, duke u transferuar përfundimisht në Shtetet e bashkuara.Kavon, që kolegët e thërrasin thjesht me nofkën “Hak”, ka një karrierë ekselente në ushtri, me misione të shumta në Irak dhe Afganistan, duke bërë të mundur kështu që të ngjisë hierarkinë ushtarake deri ne komandën e një prej gjigantëve të detit, si aeroplanmbajtësja Truman.