Paralajmërimi i Haki Abazit për zhvillime deri më 4 shkurt

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Haki Abazi, është i bindur se do të ketë marrëveshje ndërmjet partisë së tij dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai i ka thënë “Gazeta Blic” se janë në fazën finale të marrëveshjes e që sipas tij nuk ka asnjë alternativë tjetër pos që këto dy subjekte të bëhen bashkë dhe të qeverisin me vendin.

“Mendoi që jemi në fazën e finalizimit të marrëveshjes, po ta them sinqerisht. Deklarimit dhe qëndrime të dy subjekteve politike VV e LDK janë që marrëveshja duhet të gjendet dhe bëhet, sepse pos VV e LDK qytetarët nuk kanë alternativë tjetër për qeverisje, tek e fundit qytetarët me votat e tyre e kërkuan këtë marrëveshje për bashkëqeverisje”, tha Abazi.

Sipas tij oferta e fundit e Lëvizjes Vetëvendosje për partinë e Isa Mustafës ka qenë që kryetarit i Kuvendit të jetë me rotacion.

“E vërtetë po dukemi larg por nuk do të thotë se është e pamundur që të gjendet një modus i veprimit. Ne e kemi thënë LDK ta marrë kryetarin e Kuvendit në një afat një vjeçar dhe ne pastaj ta kemi atë për tri vjet”, ka thënë Abazi.

Tutje, ai me bindje është shprehur se brenda afatit kushtetues, e që është 4 shkurti, LVV e LDK do të behën bashkë, duke refuzuar të jap komente se si do të veprohet pas asaj date në rast se nuk arrihet ndonjë marrëveshje.

“Nëse nuk ka marrëveshje hyjnë opsione tjera që nuk kisha dashur të interpretoj sepse nuk jemi aty, deri më 4 shkurt ne do të provojmë gjithçka që të arrihet marrëveshja dhe të bëhet qeveria”, tha ai.

Ndryshe, përfaqësuesit e dy partive LVV-LDK dje zhvilluan takimin e fundit të shoqëruar edhe nga ambasadorët e vendeve të QUNIT-it, por edhe ky takim ngjashëm sikurse ato të më hershmet, përfundoi pa një marrëveshje.

Më të përfunduar takimi, kreu i LDK-së Isa Mustafa, tha se presin nga VV-ja që të pranoj kushtet e tyre për bashkëqeverisje.

“Ne biseduam me VV-në për mundësinë e një koalicioni qeverisës informuam ambasadorët pasi ata kishin për qëllim ardhjen e tyre për informim, si LDK ne jemi të bindur se zgjidhja që e formuam kohët e fundit i kontribuon marrëveshjes së qeverisë e cila balancon mbi suazat e besimit të qytetarëve që morëm në zgjedhjet e 6 tetorit ne mbesim të hapur nëse VV-ja i pranon kushtet tona dhe konsiderojmë që do të jetë një marrëveshje që i kontribuon vendit”, tha Mustafa.

Ndërkaq lideri i VV-së, Kurti ka fajësuar LDK-në për mungesen e marrëveshjes për bashkëqeverisje, sepse sipas tij ata nuk po tërhiqen nga kërkesa e 8 janarit.

“Nuk ka marrëveshje të stilit merre ose lëre”, tha ai.

Dje ishte takimi i 11 ndërmjet Kurtit dhe Mustafës. Nuk dihet nëse VV dhe LDK do të takohen sërish gjatë kësaj jave për të bërë përpjekjet e fundit për arritjen e marrëveshjes.

Ndryshe, pas dekretimit të Kurtit si mandatar për Kryeministër nga Presidenti Hashim Thaçi, kanë kaluar tetë ditë, derisa kanë mbetur edhe shtatë ditë kohë për të kërkuar votëbesim nga Kuvendi i Kosovës.