Paralajmëron ekonomisti Cullen: Zgjatja e pandemisë mund të ndikojë në furnizimin me ushqim

Ushqimet që jeni duke ngrënë derisa jeni të vetizoluar nga koronavirusi, shanset janë të ketë ardhur nga një fermë. Ose, mund të ketë ardhur nga një operacion i madh bujqësor shumë, shumë kilometra larg shtëpisë suaj. Mund të jenë vjelur me dorë, ndoshta nga punëtorë migrantë, dhe të jetë sjellë nga qytete tjera, e ndoshta edhe shtetet.

Por, a do të mund të vazhdojnë sistemet t’ju sjellin ushqim derisa pandemia globale e koronavirusit vazhdon? Ose bukën? Pastat apo vajin e gatimit?

Koronavirusi tashmë e ka nxjerrë ekonominë globale jashtë kontrollit. Dhjetëra-miliona njerëz kanë dalë nga puna, pasi fabrikat nga Vuhani deri në Bavari i kanë pezulluar operacionet.

Çfarë do të thotë kjo për ushqimin që hamë?

Nëse jetoni në një mjedis rural, në një klimë të butë, ku sezoni i të korrave po zhvillohet, ju mund të përgatitni për ngrënie të prodhimeve nga kopshti juaj.

Por, nëse jetoni në qytet – sikurse më shumë se gjysma e popullsisë së botës – shanset janë që të mbështeteni në zinxhirin global të furnizimeve.

Çfarë ndodh kur njerëzit që vjelin frutat dhe perimet sëmuren ose duhet të futen në karantinë? Çfarë ndodh kur paketuesit, që sigurohen se patatet dhe qepët janë të grumbulluara dhe futen në kamionë për t’u çuar në qytete, nuk mund të punojnë? Çfarë ndodh kur gruri nuk mund të përpunohet dhe të dërgohet në furra buke?

A mund të përballemi me mungesa globale të ushqimit në muajt e ardhshëm?

“Ndërprerje masive në sistemin global të furnizimit me ushqim do të vijnë nga pandemia”, shkroi në një postim në Twitter Chris Elliot, profesor në Universitetin Queen në Belfast.

Por, ngarkesa mbi sistemin global të furnizimit me ushqime ishte e qartë.

“Një krizë e zgjatur e pandemisë mund t’i shtrëngojë shpejt zinxhirët e furnizimit me ushqime – një rrjet që përfshin fermerë, prodhime bujqësore, impiantët e përpunimit, transportin, shitjen me shumicë dhe pakicë”, paralajmëroi në një shkrim Maximo Cullen, ekonomisti kryesor në Organizatën për Ushqim dhe Bujqësi të Kombeve të Bashkuara.

Blerjet nga paniku në disa vende i kanë rritur shqetësimet se inventarët e shitësve dhe të tregtarëve mund të jenë duke u zbrazur.

Në fillim të prillit, Programi Botëror i Ushqimit – një tjetër agjenci e Kombeve të Bashkuara – u përpoq t’iu ofronte siguri konsumatorëve të nervozuar.

“Tregjet globale për drithëra bazë janë të furnizuara mirë dhe çmimet përgjithësisht janë të ulëta”, tha Programi Botëror i Ushqimit në një raport të lëshuar më 3 prill.

“Ndërprerjet deri më tani janë minimale; furnizimi me ushqim është i mjaftueshëm dhe tregjet janë relativisht të qëndrueshme”, u citua zëdhënësja Elizabeth Byrs.

“Por, së shpejti, mund të shohim ndërprerje në zinxhirët e furnizimit me ushqim”, nëse importuesit e mëdhenj humbasin besimin në rrjedhën e besueshme të mallrave bazë të ushqimit”, tha ajo.

Për vendet e industrializuara, ku zinxhirët e furnizimit me ushqime kanë kaluar tashmë nëpër një ndryshim, për shkak të ndryshimit të shprehive dhe shijeve të konsumatorit, kjo sjell më shumë pasiguri.

“Po flasim për ndryshime rrënjësore të një zinxhiri ushqimor që tashmë po kalonte nëpër një ndryshim radikal”, tha për REL James Tillotson, profesor në pension i politikës ushqimore dhe i biznesit ndërkombëtar në Shkollën Friedman në Universitetin Tufts në Shtetet e Bashkuara.

Kush është më në rrezik?

Për vendet kryesore industriale, popullsia e të cilave ka tendencë të përqendrohet veçanërisht në qendrat urbane dhe periferike, zinxhirët e furnizimit të ushqimit janë më të gjata, më komplekse dhe, ndoshta, më të rrezikuara.