Paralajmëron NISMA: Në zgjedhjet e ardhshme mund të bëjmë koalicion me PDK-në për të dalë të parët

Deputetja e zgjedhur e partisë së quajtur Nisma Socialdemokrate, Albulena Balaj Halimi ka folur për Periskopin në lidhje me zhvillimet e fundit politike, me fokus pozicionin e partisë së saj për koalicionin qeveritar mes LDK-së dhe Vetëvendosjes që po vazhdon të zvarritet.

Për dallim nga bashkë-partiakët e saj ajo ka refuzuar të thotë se arsyeja për zvarritjen e koalicionit mes VV-së dhe LDK-së është “pazari për pushtet”.

“Kurti nuk i shkon në takim presidentit për arsyen e vetme, që të fitojë kohë, sepse po e mandatoi presidenti Kurtin atëherë ai do t’i ketë 15 ditë afat.” – thotë ajo.

Ajo ka alarmuar opinionin publik duke thënë se edhe po të formohet marrëveshja për koalicion qeverisës, Qeveria Kurti do të jetë ndër më të shkurtrat, për shkak të dallimit të madh që kanë mes vete [VV e LDK] për tema të mëdha, e për çështjen e presidentit, përcjell Periskopi.

Deputetja e zëshme e Nismës ka deklaruar se “personalisht nuk do të bënte koalicion” me dy partitë e para megjithatë, për një gjë të tillë ajo shton se kjo do të varet nga strukturat e Nismës duke promovuar kësisoj një qasje institucionaliste në vendim-marrje.

Të njëjtën kompetencë ia jep strukturave të Nismës edhe për atë se a do të shkonin në zgjedhje të vetëm apo me ndonjë parti tjetër politike.

“Për mua do të ishte më e logjikshme të formojmë një koalicion ose bllok fitues të zgjedhjeve sepse po e shohim që ka vështirësi në arritje të marrëveshjeve pas-zgjedhore. Pastaj, pse t’i japim prapë mundësi dikujt që edhe nëse nuk na garanton që mund të formojmë qeveri edhe pse doli i pari?”

Me pak fjalë, z.Balaj Halimi kërkon një koalicion pas-zgjedhor si duket me PDK-në me të cilën do të arrinin të dilnin të parët në zgjedhjet eventuale të ardhshme.