Parashikimi i çmendur i Thierry Henry gjatë penalltive Arsenal-Porto, video bëhet virale

Thierry Henry kishte besim se Porto do të humbiste penalltinë e fundit gjatë gjuajtjeve të penalltive me Arsenalin në Ligën e Kampionëve, saqë ai as nuk e pa goditjen nga pika e bardhë.

Topçinjtë arritën në çerekfinale të kompeticionit me një fitore 4-2 me penallti ndaj ekipit portugez, pasi barazuan 1-1 me rezultat të përgjithshëm gjatë dy ndeshjeve.

Henry po e shikonte lojën nga brenda stadiumit Emirates si pjesë e panelistëve të televizionit CBS Sports dhe pas ndeshjes ata ndanë momentin kur legjenda e Gunners-ave parashikoi se çfarë do të ndodhte në fund të gjuajtjes së penalltive.

Derisa Galeno i Portos përgatitej të ekzekutonte penalltinë e fundit të skuadrës së tij, francezi ishte aq i sigurt se ai do ta humbiste penalltinë, saqë ia ktheu shpinën lojës dhe doli nga dhoma.

Henry mund të dëgjohej duke thënë ‘e humb’ derisa largohet. Dhe, ai kishte të drejtë pasi video tregon kolegët e tij Micah Richards dhe Jamie Carragher duke festuar pritjen e portierit David Raya.

Duke konfirmuar dyshimet e tij të mëparshme, Henry i tha prezantueses Kate Abdo: “Ishte mënyra se si ai e vendosi topin te pika e bardhë, më dukej e dyshimtë, kështu që u largova”.

Raya ishte heroi i Arsenalit, pasi ai priti dy goditjet nga pika e bardhë të Galenos dhe Wendellit për të siguruar kalimin e klubit në çerekfinale.