Pas humbjes së milionave – Trusti bëhet me Bord

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur anëtarët e bordit drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale.

Për katër vjet bordi i Trusti do të udhëhiqet nga Emanuel Bajra, Shpresim Vranovci, Mimoza Mustafa, Cyril Demaria-Bengochea dhe Trim Shala.

Ndryshe, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ishte deklaruar për humbjen e kursimeve të qytetarëve të Kosovës.

Ky institucion pati thënë se “nuk mund të themi që mjetet e FKPK-së si tërësi janë të rrezikuara, por gjithsesi institucioni është në gjendje të vështirë pa organin kryesor [v.j. Bordin] vendimmarrës sipas legjislacionit në fuqi”.

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, i njohur edhe si Trusti, mbledh mjetet e kontribut-paguesve kosovarë.

Shuma e tij arrin në gati 2.3 miliardë euro, por, aktualisht, është më e vogël.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, rënia në vlerë ka ndodhur gjatë muajve të fundit, për shkak të zhvillimeve gjeopolitike, përfshirë luftën në Ukrainë, krizën energjetike dhe inflacionin dyshifror. Të gjitha këto kanë shkaktuar çrregullime në tregjet ndërkombëtare.

Me ligjet në Kosovë, 70 për qind e mjeteve të Trustit janë të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare në periudha afatgjate, me qëllim që t’u rritet vlera, ndërsa 30 për qind investohen në letrat me vlerë në Kosovë.

Të gjithë të punësuarit në Kosovë janë të obliguar të paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: 5 për qind i paguan punëdhënësi, kurse 5 për qind ndahen nga paga e të punësuarit.

Kursimet pensionale mund të përdoren nga kontribuuesi vetëm pasi t’i përmbushë kushtet për pensionim, përkatësisht arritjen e moshës 65-vjeçare.