Hyn në fuqi vendimi: Njëri prind pushim deri më 23 mars, nëpunësit punë nga shtëpia! Qeveria thirrje edhe privatit

Hyn në fuqi vendimi i miratuar nga qeveria që i jep të drejtën e pushimit nga data 10 deri në 23 mars njërit prej prindërve që kanë fëmijët në çerdhe, kopsht apo në shkollë për shkak të situatës së koronavirusit. Nëpunësit e administratës që do të jenë pushim detyrat që do u ngarkohen nga eprori do të duhet t’i bëjnë nga shtëpia. Qeveria kishte një thirrje edhe për sektorin privat, që të lejojnë pushim njërin nga prindërit nisur nga situata.

‘Këshilli i Ministrave vendosi caktimin e datave 10 deri 23 mars 2020 ditë pushimi për njërin nga prindërit kujdestarë të fëmijëve, që frekuentojnë/ndjekin ose jo çerdhet, arsimin parashkollor dhe arsimin bazë, që janë nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë të administratës publike, të nivelit qendror e vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore.

Nëpunësit civilë dhe punonjësit e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, gjatë kësaj periudhe, ngarkohen të kryejnë çdo detyrë funksionale që ju ngarkohet nga eprori i drejtpërdrejtë ose titullari i institucionit, e cila mund të përmbushet në kushtet e banesës, nëpërmjet komunikimit telefonik apo të mënyrave të tjera të komunikimit elektronik.

Përjashtohen nga zbatimi i pikës 1, të këtij vendimi, prindërit që janë personel shëndetësor.

Për shkak të mbylljes së çerdheve dhe të institucioneve arsimore, në funksion të marrjes së masave për parandalimin e përhapjes së infeksionit nga COVID-19, iu bëjmë thirrje të gjithë punëdhënësve privatë që të gjejnë mundësitë për trajtimin me pushim të punëmarrësve të tyre” thuhet në vendim.

Rregullat e reja

Pension në shtëpi me kosto zero për të moshuarit, duke filluar nga ky muaj deri në përfundim të kësaj situate

Grumbullimi masiv i personave në ambiente publike, është i ndaluar, dhe në çdo rast distanca nga njeri tek njeriu nuk duhet të jetë më e vogël se një metër.

Mbyllja për publikun deri në 3 prill të gjitha ambientet që ofrojnë shërbime si disko, lokale nate, ambiente për argëtimin e të rinvje si qendra sociale, palestra, pishina

Kufizim i kontakteve në institucionet rezidenciale publike dhe jopublike. Për qendrat sociale që ofrojnë shërbime si të moshuarit, personat me aftësi të kufizuar, fëmijët pa përkrahje prindërore, do të shmanget kontakti me persona jashtë strukturës ku ata banojnë.

Restorantet, baret të ofrojnë shërbime për qytetarët duke respektuar distancën prej së paku 2 m nga tavolinat dhe së paku 1 metër qytetarët nga njëri tjetri.

Organet e shërbimit postar duhet të garantojnë vazhdimësinë e shërbimit dhe të hartojnë një plan masash për shmangien e kontaktet të personelit me publikun.

Punëdhënësit privatë të marrin masa për parandalimin e përhapjes e virusit. Kontakti i tyre me publikun të shmanget nëse shërbimi mund të ofrohet online.

Do të pezullohet përkohësisht të gjithë proceset dhe procedurat për konkurset publike të punësimit

Shqiptarja.com