Ra nga kati i 5-të i banesës, Policia jep detaje për vdekjen e ish-asamblistes së PDK-së

Sot në orët e hershme të mëngjesit është gjetur pa shenja jete një femër në Gjilan.

Viktima është ish asamblistja e Partisë Demokratike e Kosovës në Gjilan, Arzie Nuhiu.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani konfirmoi se rasti ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit.

“Sot me 21 korrik 21 rreth orës 03:50 të mëngjesit, Policia e Kosovës në Gjilan ka pranuar informatën se në rrugën ‘Raif Halimi’, në pjesën e pasme të njërës nga ndërtesat në këtë rrugë është vërejt një trup i personit të gjinisë femërore.Njësitet policore nga stacioni policor i Gjilanit me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Më pas nga familjarët është identifikuar se bëhet fjalë për A. N. (1977) femër shtetase e Kosovës, që ishte duke banu në katin e pestë të ndërtesës në këtë rrugë”, tha ai.

Hashani shtoi tutje se “dyshimet fillestare janë se e njëjta ka rënë nga ballkoni i banesës së saj ku ishte duke jetuar”.

“Në vendngjarje ka prezantuar shërbimi Emergjent (ndihma e parë ) ku nga mjeku kujdestar i kësaj njësie është konstatuar vdekja. Në vendngjarje ka prezantuar prokurori i shtetit për ‘Krime të Rënda’, njësitet e hetimeve dhe forenzikës rajonale. Prokurorin i shtetit ka urdhëruar që trupi i pa jetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore – Prishtinë. Rrethanat dhe motivet se si ka ndodhë ky rast i rëndë ende nuk dihen”, tha ai.

Hashani pohoi se rasti për momentin është cilësuar si “Vdekje e dyshimtë” dhe hetimet e mëtejme janë duke i udhëheq Policia e Kosovës njësitet e hetimeve Rajonale në koordinim me Prokurorin e shtetit.