Pas konfirmimit të aktakuzës, Nasim Haradinaj paraqitet nesër para Speciales, ndërsa Hysni Gucati të premten

Gjykata Speciale ka konfirmuar aktakuzën ndaj krerëve të OVL UÇK-së Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, shkruan Fokusi.info.

Pas konfirmimit të aktakuzës, Nasim Haradinaj do të paraqitet para Speciales nesër nga ora 15:00.

“Me konfirmimin e aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj kanë statusin e të akuzuarve para Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe tani fillon faza e procedurës paraprake të çështjes së tyre, duke nisur me paraqitjet e tyre të para”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

“Paraqitja e parë e z, Haradinaj si i akuzuar do të mbahet të martën, 15 dhjetor 2020, në orën 15:00. Paraqitja e parë e z. Gucati si i akuzuar do të mbahet të premten, 18 dhjetor, në orën 11:00”, vijon njoftimi.

Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale.

Më 25 shtator, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj ishin arrestuar nga EULEX-i me urdhër të Gjykatës Speciale, pas bastisjes disa orëshe që ishte bërë në zyrat e Organizatës se Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /Fokusi.info/

https://www.scp-ks.org/sq/konfirmohet-aktakuza-kunder-hysni-gucatit-dhe-nasim-haradinajt