Pas Lasgushit e Migjenit, ‘fluturon’ Naimi, Rama: Nuk e kam harruar Nolin

Pas Lasgushit dhe Migjenit, linjës së fluturimeve ‘Air Albania’ i shtohet edhe Naimi, i cili do të mbulojë linjat Verona, Bergamo, Pisa në Itali. Lajmi është dhënë nga kryeministri Rama, i cili shton gjithashtu se edhe Noli është në planet e afërta për t’u ngritur në fluturim, por i duhet të pres pasi do të bëjë një rrugë më të gjatë, atë në Amerikë. Rama nuk ka harruar të ‘thumbojë’ edhe kritikët apo nënqeshjet e bëra më herët kur Shqipëria u bë me ‘avionët’ e saj nën logon ‘Air Albania’.

‘Ja edhe Naimi po vjen pas Lasgushit e Migjenit, siç jua kam thënë duke marrë mbrapsht shumë nënqeshje e përqeshje, po s’ka gjë, pak nga pak do ta mësojnë edhe nënqeshësit e përqeshësit se unë them atë që bëj dhe bëj atë që them. Tani po ju them pas Naimit vjen Fishta dhe mirëpres me buzëqeshje çdo nënqeshje e përqeshje. (Se mos thotë ndonjëri që e kam harruar Nolin jo, gabon, por Nolit i duhet zgjatja e pistës sepse do të bëjë Amerikën prandaj më duhet ta mbyll me atë fjalën magjike, që aq shumë inat e kanë shumë miq këtu: Durim)’ shkruan Rama në facebook.

Aktualisht linjat me që mbajnë flamurin shqiptar janë Migjeni që mbulon linjat e Romës, Milanos dhe Bolonjës në Itali dhe Lasgushi që mbulon Stambollin. Kompania ‘Air Albania’ ka nisur aktivitetin disa muaj më parë dhe operon me çmime konkurruese me linjat e tjera.