Xhavit Jashari: Ligji për Pagën Minimale është tradhëti dhe fyerje ndaj veteranëve, do ta kundërshtojmë

Të enjten, është miratuar në lexim të dytë Ligji për Pagën Minimale.

Ky ligj nuk përfshinë edhe veteranët e luftës, ashtu siç është kërkuar nga Organizatat e dalura nga lufta, mbështetur edhe nga opozita në Kuvend.

Për mospërfshirjen e tyre në këtë Ligj, veteranët patën paralajmëruar protesta.

E atë do ta mbajnë të shtunën.

Veteranët thonë se ky ligj është padrejtësi e tradhti ndaj tyre.

Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmoreve të UÇK-së, Xhavit Jashari, në një intervistë për Front Online, thotë se me mospërfshirjen e tyre në këtë ligj, është keqpërdorë besimi i qytetarit.

“Në radhë të parë, forma, koha se si dje kanë rrjedh gjërat dhe është votuar në lexim të dytë. Ky ligj mendoj se është në tradhti, ndaj rrugës së lirisë është një tradhti ndaj kategorive të luftës, në këtë rast ndaj veteranëve. Mendoj se ata që janë në institucione duhet ta dinë se rruga e krijimit të këtyre institucioneve është sakrificë dhe të gjithë ata që e kana ngrit dorën për t’i vënë në padrejtësi veteranët e luftës së UÇK-së, për të shkel në dinjitetin e tyre, mendoj se e kanë keqpërdorë besimin që i kanë dhënë qytetarët”, deklaroi ai për Front Online.

Për ta kundërshtuar Ligjin për Pagën Minimale i cili tashmë është votuar, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të shtunën me fillim nga ora 18:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, kanë thirrur protestë kundër qeverisë.

Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së për Front Online, ka kritikuar qeveritarët duke thënë se si ndihen derisa veterani nuk ka jetë të dinjitetshme.

“Ne do të kundërshtojmë, ne do të kërkojmë zbatueshmëri të ligjit që është në fuqi sepse nuk janë në pyetje vetëm benefiti që veteranët protestojnë që mos të jetë beneficioni pavarësisht se këto institucione nuk e di se si e ndjejnë veten kur veterani është në asistencë sociale dhe nuk ka një jetë të dinjitetshme. Por, pavarësisht kësaj mbi të gjitha është shkel dinjiteti e vlerës së UÇK-së, në këtë rast të veteranëve, invalidëve, dhe familjeve të dëshmorëve”, tha ai për Front Online.

Jashari: Ligji për Pagën Minimale është joligjor dhe i padrejtë

Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari për Front Online thotë se ligji për pagën minimale është joligjore.

Mënyra se si është bërë ky ligj, Jashari thotë se është edhe e padrejtë.

“Megjithatë janë bërë edhe shkelje ligjore sepse në Ligjin për Pagën Minimale, organizatat të dala nga lufta, udhëheqësit e organizatave janë pjesë e ligjit dhe nuk do të duhej, dhe është e padrejtë, dhe është shkelje ligjore pa konsultimin tonë, pa qenë pjesë e propozim- ndryshimeve, në çdo kohë dhe në çdo moment nuk guxojnë të ndodhin gjërat e tilla”, tha Jashari për Front Online.

Xhavit Jashari: Nga viti i kaluar më s’kemi diskutuar me Qeverinë, veteranëve s’duhet t’iu ndalen pensionet nëse punojnë

Që nga viti i kaluar kur edhe është miratuar në lexim të parë Ligji për Pagën Minimale, të cilin e kundërshtuan veteranët e UCK-së para Kuvenit, Xhavit Jashari thotë se nuk kanë diskutuar më me Qeverinë.

Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, thotë në një intervistë për Front Online se Qeveria nuk ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim.

“I dinë qëndrimet tona, i dinë vendimet tona, i dinë propozimet tona dhe nuk kemi pasë takime me qeverinë, nuk kemi pasur që nga viti i kaluar, atëherë kur kemi protestuar dhe kundërshtuar. Kjo Qeveri nuk ka shpreh gatishmërinë për bashkëpunim me organizatat të dalura nga lufta, dhe ne jemi të obliguar, kemi obligim statusor, njerëzor dhe moral që kur preket dinjiteti, kur preket në vlerat kombëtare në këtë rast në luftën e lavdishme të UÇK-së pavarësisht kush qëndron në institucione ne do të reagojmë”, u shpreh ai për Front Online.

Jashari foli edhe për veteranët që nuk kanë të drejtë të punojnë.

Ai për Front Online thotë se nuk do të duhej të ndaheshin, dhe se kërkon që të korrigjohen këto ndryshime.

“Gjithsesi, ne i kemi konsultuar edhe ligjet tjera, fillimisht nuk ka qenë, por Parlamenti dhe Qeveritë kanë bërë ndryshime sepse nuk do të duhej të ndaheshin veteranët, i punësuar e i papunësuar sepse është ligj i veçantë dhe ky ligj i trajton dhe iu jep benefite ato që i meritojnë veteranët për luftën që e kanë bërë për lirinë e vendit dhe mendoj se këto duhet të korrigjohen, duhet të ndryshohen”, tha ai për Front Online.

Përgjimet Kusari Lila-Simiq/ Jashari: Fyese, na nxit të mendojmë se goditja e veteranëve është bërë në dakordim me Beogradin

Seria e audio incizimeve që u publikua në fillim të javës, mes Shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe Slavo Simiqit nga Lista Serbe, po konsiderohet fyese për veteranët.

Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, thotë se kjo incizime shpërfaqën fyrjen më të madhe për lirinë e vendit.

“Mendoj se kjo është fyese edhe për institucionet, është fyerje e madhe për kategoritë e luftës, në këtë rast për veteranët por është fyerje edhe për lirinë e vendit sepse kërkohet ndihmë nga ata që kanë mundur të jenë pjesë në periudhën e luftës dhe kanë luftuar për të mbajtur Kosovën të pushtuar dhe falë luftës së lavdishme të UÇK-së, kategorive që ne i përfaqësojmë në këtë rast veteranët, e kemi larguar armikun nga këtu dhe sot e gëzojmë lirinë”, deklaroi ai.

Sipas kryetarit të Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, kjo bisedë i nxit të mendojnë se janë dakorduar me Beogradin që t’i godisin veteranët.

“Mendoj se kjo është fyerja më e madhe dhe ne na nxit të mendojmë se kjo është bërë në dakordancë me Beogradin që të goditemi dhe ta atakojnë këtë kategori kaq të rëndësishme sic janë veteranët dhe në përgjithësi lufta e lavdishme e UÇK-së”, u shpreh ai për Front Online.

Fryrja e listës së veteranëve/ Jashari: Nuk i frikësohemi, të merret Gjykata, e jo Qeveria

Pretendimet për fryrjen e listës së veteranëve, i ka komentuar kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari.

Ai për Front Online thotë se nuk i frikësohen, por që sipas tij nuk është çështje e Qeverisë e as Parlamentit.

Jashari thotë se Gjykata e Prokuroria të merren me këtë çështje.

“Unë mendoj se nuk është çështje e Qeverisë, nuk është çështja e Parlamentit. Nuk i frikohemi kurdoherë që kërkohet të bëhet verifikimi të kthehet në pikën zero, askush nuk i frikësohet, por prapë ata që janë kompetent dhe i vetmi organ i cili e bënë verifikimin janë komandantët e zonave, me zinxhirin komandues. Dhe nëse atëherë ka shkelje, ju ka dhënë e drejta dikujt që nuk e meriton, ose ju ka shkel e drejta, atëherë është organi tjetër është gjyqësori, është pra prokuroria dhe gjykatat që e zgjedhin këtë çështje”, deklaroi ai për Front Online.

Pensioni 170 euro i veteranit/ Jashari pyet politikanët nëse do të mundeshin të jetonin tri ditë me këtë shumë

Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, pyet nëse politikanët do të mundeshin të jetonin me pensionin e veteranit vetëm tri ditë.

Ai ëpr Front Online thonë se nëse pushtetarët do të mendonin dhe të jetonin me pensionet prej 170 euro, do të merrnin vendime ndryshe për veteranët.

“Tani me 170 euro unë do të ia bëjë një pyetje të gjithë atyre që qëndrojnë në institucione qoftë në qeveri, qoftë në presidencë, qoftë në parlament se a mund të ekzistonin ata me lukset e tyre tri ditë me këtë beneficion të veteranit, dhe është e lehtë vetëm të kthejnë dhe të nisen nga vetja e tyre, le ta qesin veten në pozitën e veteranit secili që është në institucionet e Republikës së Kosovës dhe mendoj se atëherë do të merren qëndrime dhe vendime të duhura për të rregulluar këtë çështje të kësaj kategorie kaq të rëndësishme”, u shpreh ai.

Pensioni 500 euro, është shuma që kanë kërkuar veteranët thotë Jashari.

Mirëpo, sipas tij kjo varet se sa është e gatshme Qeveria.

“Por ne kemi kërkuar që beneficioni i veteranit të jetë mbi 500 euro, që të ketë një jetë të dinjitetshme, çka ligjërisht kjo nuk e ndalon, mirëpo kjo varet nga gatishmëria e Qeverisë e organeve kompetente që e kanë buxhetin e shtetit që të marrin një vendim të tillë për ngritjen e beneficionit. Ne kërkojmë pavarësisht asaj nëse ngritët paga minimale në përputhje me ligje në fuqi me automatizëm duhet të ngritët dhe beneficioni i veteranit të UÇK-së’, tha ai për Front Online.

Jashari: Qeveria nuk i ka ofruar ndihmë asnjë invalidi, pushtetet e kaluara më bashkëpunuese

Kreu i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UCK-së, Xhavit Jashari thotë se Qeveria nuk i ka ofruar ndihmë asnjë invalidi.

Ai thotë se me qeveritë e kaluara kanë qenë më bashkëpunuese sesa kjo Qeveri.

“Me qeveritë e kaluara kemi pasur bashkëpunim qoftë në trajtimin, qoftë në rehabilitimin, ndërsa nga kjo qeveri është në pikën zero, nuk kemi bërë asnjë bashkëpunim nuk ka asnjë ndihmë, madje gjymtyrët e invalidëve kullojnë gjak dhe as për protezat e invalidëve kjo qeveri nuk ka ofruar ndihmë”, deklaroi ai për Front Online.

Është bërë gati një vit prej kur projektligji për Pagën Minimale është miratuar në parim.

Nëpërmjet projektligjit të sponsorizuar nga Qeveria, paga minimale është propozuar të rritet nga 170 euro, sa është aktualisht, në 264 euro.

Të enjten, ky projektligj u votua edhe në lexim të dytë.