Pas pushimeve të verës, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së rinis më 14 gusht

Gjykimi u vlerësua se nisi me vonesë.

Mirëpo, prej tre prillit kur u mbajt seanca e parë e shqyrtimit kryesor, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është duke u zhvilluar në mënyrë të shpejtë, me seanca që po mbahen deri në pesë ditë të javës.

“Gjatë kësaj periudhe, para se të shkohej në pushim janë dëgjuar rreth 15 dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria, pra kanë qenë këto 3-4 muaj intenzive sa i përket seancave, ku janë mbajt më shumë se 30 seanca të shqyrtimit kryesor”, ka thënë avokati, Amer Alija.

Shumica e 12 dëshmitarëve të parë të Prokurorisë janë dëgjuar në seanca private.

Për këtë, ka disa vërejtje avokati Kadri Osaj.

“Në rrethanat kur siguria e dëshmitarëve të mbrojtur është maksimale dhe kur dëshmitarët e vendit jetojnë jashtë shtetit, masat e ndërmarra nga ana e Prokurorisë dhe Gjykatës janë të panevojshme, të pajustifikueshme dhe cënojnë transparencën. Opinioni publik mbetet i painformuar”, është shprehur avokati, Kadri Osaj.

12 dëshmitarët e parë, Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka konsideruar si më të rëndësishëmit, prandaj edhe ka kërkuar nga Gjykata që ata të dëgjohen në seanca të mbyllura.

Megjithatë, avokati Amer Alija, që është duke e monitoruar gjithë procesin, pret që në këtë aspekt të ketë përmirësime.

“Ne presim që dëgjimi i dëshmitarëve të radhës do të jetë më transparent. Në rast se do të ketë dëshmitarë anonim, atëherë trupi gjykues duhet të kujdeset që edhe dëshmtië e tyre të jenë më transparente, vetëm pjesët e dëshmisë që mund ta identifikojnë ose zbulojnë dëshmitarin dhe informata të tjera që mund të lidhen me identifikimin e dëshmitarit të mbyllen apo të redaktohen për publikun”, ka theksuar Amer Alija.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të rinisë nga 14 gushti, pas një pushimi veror katër javor të Dhomave të Specializuara./dukagjini