Berisha një ditë pas Kuvendit të PD-së: Dhamë përgjigjen më dinjitoze, tani është koha e veprimit

Nuk është më koha e dyshimit, sot është koha e veprimit, shprehet ish-lideri demokrat Sali Berisha, një ditë pasi u mbajt Kuvendi Kombëtar, i thirrur prej tij.

“Kohët e fundit kanë qenë të mundueshme dhe të vështira për Partinë Demokratike”, shkruan Berisha në një postim në rrjetin social “Facebook”, duke iu referuar betejës politike me kryedemokratin Basha, të cilin e shkarkoi në kuvendin e djeshëm.
“Ne të gjithë së bashku, delegatë dhe militantë u dhamë përgjigjen më dinjitoze, më të bukur dhe më madhështore dje nëpërmjet mbledhjes historike të Kuvendit Kombëtar të Rithemelimit të Partisë Demokratike thirrur nga Delegatët”, shkruan ish-kryeministri.

Sipas tij, “sot nuk është më koha e dyshimit, është koha e veprimit”.

Ai fton këdo që do t’i bashkohet Partisë Demokracisë “për të vazhduar betejën kundër të keqes që ka mbërthyer Shqipërinë tonë të dashur”, shkruan ai. Sipas Berishës, qeveria e drejtuar nga Edi Rama ka shkatërruar Shqipërinë, ndërsa ka përdorur dhe Lulzim Bashën, që e ka mbështetur, duke tradhtuar demokratët.

Kuvendi shkarkoi me votim të fshehtë kryetarin e PD-së, Lulzim Basha me propozimin e 7 deputetëve dhe 15 për qind të delegatëve. Ai u shkarkua për thyerje të rënda të statutit dhe dëmtim të interesave politike dhe elektorale të saj. Por, jo vetëm. Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit, i mbledhur nga njëra palë ka shkarkuar gjithë kupolën drejtuese të partisë dhe ka zhveshur nga funksionet edhe Kryesinë e saj me argumentin se nuk janë zgjedhur në konform statutit.

Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Lulzim Bashës do të kalojë për votim në bazë në datën 18 dhjetor, ditën kur Basha mban Kuvendin Kombëtar.

Të gjitha vendimet e Kuvendit Kombëtar të 11 dhjetorit, përfshirë ndryshimet në statut, do të shkojnë në gjykatë, aty ku pritet të fillojë edhe beteja ligjore nëse vetë gjykata do ta pranojë, sa kohë që ka një statut të depozituar me logon dhe vulën e partisë.

Për gjithë këtë proces, Kuvendi ka miratuar edhe një Komision Rithemelimi prej 29 anëtarësh që pritet të marrë në dorë drejtimin e partisë deri më 22 mars të 2022, kur do të thirret një Kuvend i ri. Se si do të vijojë puna e këtij komisioni nga 11 dhjetori e më pas dhe në çfarë ambientesh mbetet ende e paqartë./Tch