Pas tre ditësh mbyllje nga i ftohti, nxënësit rikthehen në shkolla

Rinis sot procesi mësimor, pas një ndërprerje 3 ditore, për shkak të motit të keq në vend. Ministria e Arsimit e Shqipërisë vendosi ditën e premte që të pezullojë mësimin duke nisur nga dita e hënë, deri të mërkurën, pasi parashikoheshin temperatura ekstreme të motit, deri në -17 gradë celsius.

Temperaturat e ulëta gjatë këtyre ditëve kanë shkaktuar mjaft probleme në vend, që nga bllokimi i rrugëve e deri tek ngricat në sistemin ujësjellës.

Ndërkohë ministrja e Arsimit, Evis Kushi mohoi që mungesa e ngrohjes në shkolla të ishte i vetmi shkak për pezullimin e mësimit, pasi sipas saj ka pasur një sërë faktorësh që çuan në marrjen e këtij vendimin.

Nga Ministria e Arsimit është bërë e ditur se orët e humbura do të zëvendësohen por nuk është dhënë një datë konkrete se kur do të realizohen.