Pas zgjedhjeve, Isa Mustafa mund ta pengojë Vjosa Osmanin për t’u bërë Kryeministre

Vjosa Osmani nuk e ka të sigurt se mund të bëhet Kryeministre e Kosovës, edhe nëse LDK del si partia e parë në zgjedhjet e 6 tetorit.

Burime të sigurta të Periskopit thonë se Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, gjithnjë e më shumë po bindet se Vjosa Osmani nuk bën për Kryeministre, ndërsa ai ka edhe kalkulime personale.

Për ta realizuar këtë ambicie të tij, e që me gjasë lidhet me postin e Presidentit të Kosovës, Mustafa thuhet se po mendon ta sakrifikojë gruan që më së shumti e kishte rivalizuar, Kandidaten e LDK-së për Kryeministre, Vjosa Osmanin.

Mustafa, siç thonë burimet, planifikon që në fund të zgjedhjeve, pavarësisht rezultatit zgjedhor, ta parandalojë Vjosa Osmanin të bëhet Kryeministre e Kosovës, pas shfrytëzimit të saj për të mbledhur vota dhe mobilizuar elektoratin e LDK-së.

Një opsion që do ta eliminonte Vjosa Osmanin janë edhe preferencat për një koalicion paszgjedhor me PDK-në, për të cilin po flet shpeshherë edhe Vetëvendosje, që mund të mos jetë i pranueshëm për Osmanin dhe do ta detyronte atë të lëshonte rrugë.

Element tjetër, sipas këtyre burimeve, është inati shumë i madh që Mustafa ende mban me Vjosa Osmanin, e cila ishte kundërshtarja më e madhe politike gjatë qeverisjes së Mustafës.

Njëjtë kishte ndodhur edhe kur Mustafa eliminojë në minutat e fundit Fatmir Sejdiun. Në zgjedhjet e fundit për Kryetar të LDK-së, Mustafa në minutat e fundit kishte eliminuar taktikisht dy nënkryetarët e LDK-së, Agim Veliun dhe Lutfi Hazirin, të cilët kishin pretendime për ta marrë kreun e LDK-së.