Pasivizimi i adresave në Luginë, Kamberi: Pas Medvegjës po rrezikohet edhe Bujanoci

Deputeti shqiptar Shaip Kamberi ka folur për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, konkretisht në komunën e Medvegjës.

Kamberi theksoi se pas Medvegjës po rrezikohet edhe komuna e Bujanocit ku në mënyrë institucionale po bëhet pasivizimi i adresave të shqiptarëve, të cilët janë zhvendosur nga këto komuna.

Ai tha se për shqiptarët që jetojnë në Luginë duhet të krijohet mirëqenie, në mënyrë siç tha ai mos të largohen nga ky vend.

“Tema e pasivizimit dhe ajo që është më me rëndësi në dialog me Serbinë, të shtrohet tema e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës në mënyrë që të krijohet një mirëqenie këtu, në mënyrë që njerëzit mos të largohen sepse problemet e shumta politike, ekonomike kanë ndikuar që largimin dhe migrimin e kemi në masë që po e zvogëlon bërthamën kombëtare. Medvegja me 700 banorë sa jetojnë atje gati është e zbrazur, Bujanoci po ashtu po rrezikohet. Pra, është momenti i fundit që dy qeveritë të ndërtojnë një program të përbashkët apo secila të ketë programin e vet veç e veç me të cilin do të ndihmohet me projekte konkrete në mënyrë sistematike në Luginën e Preshevës”, ka thënë ndër të tjera, deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi për telegrafi.com

Ai gjithashtu ka folur edhe për kontributin e dy qeverive Kosovë dhe Shqipëri, të cilët dhanë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.

Kamberi tha se ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj ishte angazhuar që të krijoj listën e përbashkët parlamentare të të gjitha partive me shqiptarë, në Serbi.

“Dy vitet e fundit ka lëvizje pozitive në këtë drejtim, kemi angazhimin e ish-ministrit Gent Cakaj për krijimin e listës tonë parlamentare, nga pesë parti e cila u bë. Një angazhim që për herë të parë pesë partitë të bashkohen dhe të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare. Kemi vendimin e Qeverisë në Prishtinë, për vendimin për Luginën e Preshevës dhe kemi vendimin e dy qeverive për ndërtimin e fondit për Luginë të Preshevës. Këto kanë mbetur tash për tash vendime të cilat duhet të operacionalizohen kemi disa raste ku edhe drejtpërdrejtë janë dhënë ndihmat financiare. Qeveria Hoti për Bujanovcin ka ndarë ditë më parë 200 mijë euro për shkak të vërshimeve që e kanë goditur komunën tonë, qeveria Kurti kishte ndarë 500 mijë euro për Luginën e Preshevës për shkak të pandemisë”, ka thënë ai.

Mirëpo, siç tha Kamberi duhet të krijohet një program i veçantë nga dy qeveritë Kosovë-Shqipëri për shqiptarët që jetojnë në Serbi.

“Ajo që dua të them është që nuk dëshiroj që Kosova dhe Shqipëria të sillen ad hoc pas situatave emergjente kur krijohen në Luginën e Preshevës, por të kenë një program të veçantë ku do të trajtohen të gjitha temat”, u shpreh ai.