PDK-Hotit: S’pranojmë ftesa për pjesëmarrje nga studiot televizive

Me anë të “Forumit të Liderëve”, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti po synon bashkimin e pozitës dhe opozitës, para nisjes së fazës së fundit të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Në këtë nismë nuk po pranojnë që të bashkohet partia e Albin Kurtit, derisa, nga PDK’ja thonë se nuk kanë marrë ende ftesë. Partitë e koalicionit qeverisës e bëjnë të qartë se nuk diskutojnë për territoret. Në anën tjetër, në kryeministri kanë shtuar se në çështje të interesit nacional, shteti duhet të funksionojë si ekip.Në ditët e para të punës si shef i ekzekutivit, Avdullah Hoti filloi punën për mënjanimin e pengesave që e lanë Kosovën dhe Serbinë për dy vite larg tryezës së dialogut.”Heqja e masës së reciprocitetit, që u kërkua nga ndërmjetësuesit, i ka afruar Prishtinën dhe Beogradin, drejt fazës së fundit të dakordimit për marrëveshjen e paqes.

Shefi i qeverisë së re të Kosovës, në këtë proces që insiston se do ta udhëheq, e ka kërkuar bashkëpunimin edhe me partitë në Kuvend, pozitë e opozitë. Ai ka propozuar një “Forum të Liderëve”, për bisedimet me palën nga Beogradi, derisa, ka bërë ftesë publike për të gjitha partitë që t’i bashkohen nismës së tij.Megjithatë, këtë nismë të Hotit nuk do ta përkrahin në Lëvizjen Vetëvendosje. Nga partia që udhëhiqet nga Albin Kurti kanë bërë të ditur se kryeministri i ka shkruar letër shefit të LVV’së, duke e ftuar në takim, por, që thonë se nuk janë përgjigjur.

Për dallim nga tash partia më e madhe opozitare në Kuvend, ndryshe deklarohen në subjektin që udhëhiqet nga Kadri Veseli.

Në Partinë Demokratike të Kosovës, kanë deklaruar për Gazetën Express se deri më tani nuk kanë marrë ftesë nga kryeministri Hoti. Të njëjtët thonë se deklarimet nga studiot televizive nuk janë serioze.Zëdhënësi i PDK’së, Avni Bytyqi thotë se për Qeverinë në krye me Avdullah Hotin është më i rëndësishëm uniteti i akademikëve dhe mbështetja e tyre, se sa e partive politike.“Nuk mund të komentojmë asgjë ndaj një ftese që nuk ekziston si realitet deri në këto momente. Ftesat nga studiot dhe deklarimet publike të zyrtarëve të ndryshëm nuk janë serioze dhe fatkeqësisht flasin për qasjen e mbrapshtë që po ndjek kjo qeveri për dialogun dhe seriozitetin që po tregon ndaj këtij procesi shumë të rëndësishëm. Për kryeministrin e qeverisë së status-quos duke se më i rëndësishëm është uniteti i akademikëve dhe mbështetja e tyre se sa e partive politike”, ka thënë Bytyqi.