PDK-ja dhe AAK-ja të pavendosura rreth përfshirjes në dialog

Liderët e dy partive fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pritet të jenë ata që do t’i përcaktojnë kornizat e pozicionit të Kosovës në fazën e ardhshme të dialogut me Serbinë . Kështu, kanë deklaruar në intervistat për Radion Evropa e Lirë, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe kandidatja e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e fundit, Vjosa Osmani.

Vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe finalizimi eventual i këtij procesi me një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, parashihet të jetë ndër angazhimet e para të qeverisë së ardhshme, e cila pritet të formohet mbi bazën e koalicionit në mes partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje dhe partisë së dytë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Të dy këto parti që po synojnë formimin e qeverisë së re,, kanë kërkuar që pjesë e dialogut të jetë edhe opozita, e cila në mandatin e ardhshëm të institucioneve do të përbëhet nga ish partitë në pushtet, siç janë Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Elim Reçica, anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se çështja e dialogut me Serbinë do të përcillet me kujdes dhe varësisht nga zhvillimet edhe vendimet e PDK-së do të jenë në harmoni me rrethanat që do të krijohen.

“Ne si parti në të gjitha fazat e zhvillimit të vendit kemi qenë pjesë shumë konstruktive e të gjitha zhvillimeve dhe sigurisht që interesi i vendi do të jetë prioritet për PDK-në edhe në të ardhmen. Gjithsesi, tani është herët të flitet, pa marrë parasysh se cili do të jetë qëndrimi i koalicionit qeverisës për vazhdimin e bisedimeve”, tha Reçica.

Ai tha po ashtu se për vazhdimin e dialogut tashmë po vërehet se ka edhe një përkushtim më të madh të mekanizmave ndërkombëtarë.

“Normal që tash (për dialogun) janë të inkuadruar edhe faktorë tjerë, është një inkuadrim i faktorit ndërkombëtar, sidomos i Uashingtonit, që është shumë më i fuqishëm për përmbylljen këtyre bisedimeve dhe besoj se në këtë trekëndësh, pastaj do të dalë edhe qëndrimi i qartë dhe i saktë i Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Reçica.

Ndërkohë, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, thonë se për të qenë pjesë e një ekipi të mundshëm negociator për dialogun me Serbinë, do të vendosin Këshilli dhe Kryesia e partisë.

Time Kadrijaj nga AAK-ja, tha për Radion Evropa e Lirë, se ende është pak herët të flitet për këtë temë, pasi që sipas saj, ende nuk janë formuar institucionet e reja.

“Nuk kemi qëndrim dhe nuk jemi mbledhur si struktura për të diskutuar. Në momentin që do të jetë nevoja për përfshirjen apo jo në dialog do të vendosin strukturat e partisë. Kështu që për momentin nuk kemi ndonjë qëndrim”, tha Kadrijaj.

Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, thonë se prania e opozitës në delegacionin për bisedime me Serbinë do të ishte ‘injeksion’ shumë i mirë politik për Prishtinën zyrtare.

Analistja Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se para së gjithash, për dialogun politik midis Kosovës dhe Serbi, në Prishtinë duhet të këtë një unitet ndërmjet partive politike.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në REL.